Pas takimit dhe fjalimit me presidenten e Republikes së Maqedonisë së Veriut, Begaj mbajti fjalën e tij përpara parlamentit maqedonas. Presidenti Begaj tha se të dyja vendet kanë nivele të larta bashkëpunimi dhe angazhimi I madh ndaj rrugës së integrimit në BE, duhet të shoqërohet me të njëjtin intesitet edhe në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve aspirante.
“Shqipëria ishte vendi i parë që e njohu dhe ndër të parat që ratifikoi marrëveshjen e anëtarësimit të RMV-së në NATO. Kur izolimi rrezikonte zhvillimin tuaj, Porti i Durrësit ishte një frymëmarrje ekonomike për ju. Fqinji i mirë njihet në ditë të vështira. Historia e suksesit e 2 vendeve tona bazohet në dialog, në ndërtimin e urave të komunikimit, në mbështetje reciproke dhe në maturi për të shmangur përplasjet.
Jemi në një rrugëtim të përbashkët drejt Bashkimit Evropian, me një orientim të qartë pro-perëndimor dhe miq të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi mësuar nga përvojat reciproke dhe sot marrëdhëniet tona janë një shtyllë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Këto marrëdhënie duhet të përkthehen në më shumë mirëqenie dhe zhvillim ekonomik për qytetarët tanë.
Dy vendet tona kanë një nivel të lartë bashkëpunimi politik. Takohemi, flasim dhe ndërveprojmë në të gjitha nivelet diplomatike. Angazhimi ndaj BE-së duhet të shoqërohet me të njëjtin nivel bashkëpunimi ekonomik. Kemi marrëveshje për projekte dhe sektorë të veçantë, por duhet të investojmë më shumë në teknologji, turizëm dhe energji të rinovueshme, si dhe të forcojmë rolin e dhomave të tregtisë, sipërmarrësve dhe institucioneve të arsimit.”


