Viti i tërmetit, “i begatë” për sigurimet: Fitimet u rritën, tregu arrin në 2.32% të PBB-së

schedule07:20 - 9 Shtator, 2020

schedule 07:20 - 9 Shtator, 2020

Vitin e kaluar, tregu i sigurimeve në Shqipëri u përball me fatkeqësi natyrore të paprecedent që nga ekzistenca e tij. Por, megjithatë tërmetet dhe një rritje modeste me 4% të sigurimit, statistikat tregojnë që shumica e treguesve kryesorë të tregut u përmirësuan.

Totali i aktiveve arriti në 38.8 miliardë lekë, me një rritje prej 23% krahasuar me vitin 2018, sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Aktivet e tregut arritën nivelin e 2.32% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Faktori kryesor që ndikoi në zmadhimin e tregut, paradoksalisht, ishin pikërisht tërmetet. Duke qenë se këto ngjarje ishin përgjithësisht të risiguruara, ato sollën një rritje të ndjeshme të pjesës së risiguruesve në provigjionet teknike. Ky ishte faktori me ndikimin kryesor në rritjen e aseteve, duke dhënë më shumë se gjysmën e kontributit total. Pjesa tjetër e rritjes erdhi sidomos nga investimet, kryesisht në instrumente financiare. Tregu u rrit në përmasa të përafërta si në segmentin e jetës, ashtu edhe në atë të jo-jetës, që vazhdon të dominojë me 89% të aseteve totale.

Rritja e tregut, e ndikuar pjesërisht nga faktorë të përkohshëm, megjithatë nuk e ndryshon në thelb realitetin e një tregu ku kultura e sigurimit ngelet e dobët dhe të varur kryesisht nga sigurimet e detyrueshme, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.

Primet e sigurimet ngelën në një nivel stanjacioni, në 1.05% e PBB-së, nga 1.03% që kishin qenë një vit më parë.

Viti 2019 u mbyll me një rezultat financiar pozitiv, në vlerën e 843 milionë lekëve, me rritje vjetore 12.7%. Megjithëse rezultati teknik, që lidhet me aktivitetin sigurues pësoi rënie me 16%, kjo rënie u kompensua dhe u tejkalua nga rritja e rezultatit financiar nga investimet e kryera.

Treguesi i kthimit nga kapitali u përmirësua në 7.73%, nga 7.3% që pati qenë për vitin 2018. Edhe kthimi nga aktivet u rrit lehtë në 2.4%, nga 2.37% që kishte qenë një vit më parë.

Ndër tetë kompani të sigurimit të jo-jetës, shtatë e mbyllën vitin 2019 me fitim.

Në sigurimin e jetës, të katër kompanitë e licencuara rezultuan fitimprurëse.

Dëmet e paguara nga kompanitë pësuan një rënie me 8.6%, çka u ndikua pjesërisht nga ulja e detyrimeve të lidhura me Fondin e Kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve. Dëmet e tërmetit po reflektohen në statistikat e vitit 2020, por sidoqoftë ato do të paguhen në pjesën më të madhe nga risiguruesit.

Në tregun e jo-jetës, raporti dëme-prime neto pësoi rënie në 27.55%, nga 32.65% që kishte qenë një vit më parë. Ndërkohë, raporti i kombinuar, që përfshin dëmet dhe shpenzimet kundrejt primeve, u rrit lehtë nga 92.28% në 92.68%.

Kjo tregon se kompanitë kanë rritur edhe më shumë shpenzimet e tyre administrative, duke theksuar edhe më shumë një element jo të zakonshëm të tregut të sigurimeve: faktin që kompanitë shpenzojnë më shumë për nevojat e tyre dhe për marrjen në sigurim, sesa për të paguar dëme.

Tregu shënoi përmirësim edhe në treguesit rregullatorë. Treguesi i aktiveve në mbulim të provigjioneve teknike u rrit në 121.3%, nga 101.8% që kishte qenë vitin e kaluar. Kjo erdhi falë një rritjeje më të ulët të provigjioneve teknike në krahasim me asetet që njihen nga AMF për mbulimin e vlerës së tyre, në përllogaritjen e treguesit.

/marre nga monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!