Viktimë e një plani të mirëorganizuar, publikohen fjalët e fundit të Khashoggit

schedule12:01 - 10 Dhjetor, 2018

schedule 12:01 - 10 Dhjetor, 2018

Rrjeti informativ amerikan CNN ka publikuar fjalët e fundit të gazetarit Jamal Khashoggi, teksa ekzekutohet në konsullatën saudite në Stamboll. Duke cituar burime të afërta me hetimin, CNN përsërit se reporteri ka qenë viktimë e një plani të mirëorganizuar.

“Nuk marr dot frymë”. Kanë qenë këto fjalët e fundit të shqiptuara nga gazetari saudit Jamal Khashoggi, i vrarë në konsullatën e vendit të tij në Stamboll. Lajmin e bën të ditur CNN, që citon një burim të informuar mbi hetimet për vrasjen e gazetarit, e që ka lexuar transkriptimin e materialit audio që tregon momentet e fundit të jetës së tij.

Sipas burimit, është e qartë se vrasja nuk ishte pasojë e një rrëmbimi të papritur, por ekzekutim i një plani të paramenduar në dëm të reporterit të “Washington Post”. Gjatë agresionit, tregon burimi, Khashoggi lufton kundër një grupi personash të vendosur për ta vrarë.

Transkriptimi tregon gjithashtu zhurmën e copëtimit të trupit të tij me një sharrë elektrike dhe kryerjen e disa telefonatave për të informuar dikë mbi rezultatin e operacionit. Hetuesit turq janë të mendimit se telefonatat kishin si destinacion zyrat e krerëve të shërbimeve sekrete në Riad. Ndërkohë, Arabia Saudite ka refuzuar kërkesën e Turqisë për ekstradimin e dy të dyshuarve për vrasjen e Khashoggit.

“Nuk i ekstradojmë qytetarët tanë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm saudit Adel al Jubeir.

Javën e kaluar Prokuroria e Stambollit lëshoi dy urdhër-arreste për dy funksionarë të lartë të afërt me princin e kurorës Mohamed bin Salman, të akuzuar se kanë organizuar vrasjen e gazetarit. Ata janë Saud al Katani, këshilltar për komunikimin i princit Salman dhe tjetri gjenerali Ahmed al Asiri, ish-numri dy i shërbimeve sekrete./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!