Viktimat e diktaturës dhe turpi ynë me të shkuarën

schedule11:26 - 23 Gusht, 2022

schedule 11:26 - 23 Gusht, 2022

Nga Agim Baçi

Sot, më 23 gusht, është Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, e njohur si Dita e Shiritit të Zi. Për Shqipërinë kjo ditë vijon të mos jetë vetëm një Ditë Përkujtimi, por një nga ato ditët që duhet të na trondisë me pafuqinë që kemi patur mbi 30 vite për të lexuar të shkuarën, për t’i dhënë atë që duhej ish të dënuarve dhe të internuarve politikë dhe ish pronarëve që iu rrëmbye prona. Ndërkohë që Gjermania, Polonia, Rumania e mjaft vende të tjera që kanë kaluar regjime të ngjashme kanë vijuar të zbardhin e të ndëshkojnë atë rregjim gjakatar, në Shqipëri kjo gjë ka ndaluar që nga viti 1997 kur u rikthyen në pushtet socialistët, e duke vijuar të mbetet pa zgjidhje as kur në pushtet u rikthye PD në vitin 2005 deri në vitin 2013.

Sot nuk dihet se sa shqiptarë janë në dijeni se në 45 vite diktaturë u ekzekutuan me dhe pa gjyq 6 mijë e 27 burra dhe gra, djem dhe vajza. Po kështu, ka patur 34 mijë e 135 shqiptarë të burgosur dhe dënuar për arsye politike, 59 mijë e 9 qytetarë të internuar në kampe përqendrimi ku mbi 7 mijë prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak në këto kampe. Po kështu, prej dhunës në burgjet politike numërohen 984 të vdekur gjatë kohës së dënimit. Ndërkohë që mijëra e mijëra të tjerë u survejuan. Mjafton të kujtojmë atë që deklaronte ish kreu i Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani se, në fund të vitit 1990, një një Tiranë me 300 mijë banorë kishim 30 mijë spiunë dhe bashkëpunëtorë të ish Sigurimit famëkeq.

Por çfarë ndodhi me ne që nuk e zbardhëm dot të shkuarën?

Në vitet e para pas Marsit 1992, entuziazmi i përmbysjes së diktaturës ishte aq i madh sa shumë nga shqiptarët që kishin vuajtur u mjaftuan vetëm me frymëmarrjen në liri dhe me mundësinë e jashtëzakonshme për të thënë gjithçka që në 45 vite nuk e thonin dot me zë të lartë. Por, ky ndoshta ishte edhe gabimi që më pas nisi e u bë gati i pandreqshëm – sepse rënia e një elite emrash që kishin drejtuar nomeklaturën komuniste ishte veçse maja e ajsbergut, ndërkohë që nuk ishte rrëzuar shpirti ideologjik që kish mbajtur gjallë atë sistem.

Kështu, ish elitat e diktaturës vijuan të drejtonin jetën publike. U lanë në vendimrraje e shkrime të së shkuarës e prognozës për të ardhmne akademikët e emëruar nga partia, arkitektët e emëruar, shkrimtarët dhe regjizorët e emëruar, profesorët e përzgjedhur me aq kujdes nga partia për të edukuar brezin e ri, të cilët në vend të dijeve kishin vetëm devotshmërinë dhe bindjen. Dhe thuajse shumica e tyre jo vetëm që nuk u zhduk nga jeta publike, por u fut në politikë, duke marrë vendime jo vetëm për mënyrën se si duhet të lexonim te shkuarën, por edhe për të ardhmen tonë.

Lënia në fuqi e elitës së emëruar në diktaturë, e cila në vend të dijes kishte brumosjen me ideologji, si dhe sjelljen me frikë dhe servilizëm, solli kotësinë e shumë debateve publike, duke kontribuar hapur në rrënimin moral të shoqërisë së sotme, e cila nuk ka më asgjë me ç’të krenohet, që të jetë shembull.

Por cilat janë pasojat më fatale të mungesës së dekomunistizimit dhe çfarë paraqiste lënia në fuqi të elitës së emëruar në kohën e diktaturës?

Shkollat dhe institucionet e dijes mbetën peng i mentalitetit dhe histrorigrafisë së ideologjisë komuniste.  Ndërkaq, ish të përndjekurit mbetën klasa më pak e integruar në shoqërinë shqiptare. Spaçi – simboli i ligësisë së atij sistemi-, bashkë me Qafë Barin dhe vendinternimet e shumta mbetën shumë larg syve të qytetarëve dhe larg debateve mediatike. Madje, nuk janë të paktë ish të përndjekurit që nuk arritën dot të ktheheshin në shtëpitë që kishin pasur, duke mbetur edhe sot e kësaj dite në vendinternimet e asaj kohe. Po kështu, ish pronarët u përballën me moskthim, mosnjohje dhe madje rrëmbim të pronës, duke sjellë një katrahurë që ende nuk sheh një dritë legalizimi dhe qartësimi. Prona është ende një çështje aq e mprehtë sa beteja bëhet thuajse në të gjitha gjykatat.

Ndërsa ironikisht, ish-sigurimi u duk i fortë në lidhjet e tyre, duke hyrë në lojë, i ndihmuar nga   neglizhenca e qeverive të pas vitit 1992 për të bërë dekomunistizimin.  Nga mungesa e leximit të së djeshmes, thuasje e gjithë shoqëria u vu nën presion të dyshimit, , ku një numër i madh spiunësh e bashkëpunëtorësh u munduan të bëjnë pis këdo që dinte të vërtetat e tyre.

Pasojë e kësaj pafuqie politike janë sot faktet që ish pronarët kanë mbetur po ish pronarë, ish të përndjekurit kanë mbetur ende të papranuar, ndërsa politikisht, edhe te partitë që prezantohen si të djathta, ende “Beu” konsiderohet si mëshirimi i së keqes në fjalorin politik.  Filmat e kohës së diktaturës janë ende fjalori i vetëm mbi të cilin ndërtohen batutat politike.

Historia në shkolla vijon të jepet nga shumica e atyre që e kanë deformuar. Dhe për pasojë, shumica e fëmijëve të sotëm dinë më shumë se ç’ka ndodhur në ish-Bllok, se sa në Spaç, në Burrel, apo në të gjitha vendet e ish internimit.  Librat e At Zef Pllumit, Ejll Çobës, Lek Pervizit, Fatos Lubonjës, Visa Zhitit, Daut Gumenit, apo dëshmi rrënqethëse të ish të dënuarve politikë apo të familjarëve të tyre, të botuara nga Instituti i drejtuar nga Agron Tufa dhe Çelo Hoxha, nuk janë në asnjë antologji shkollore.

Këto pasoja të moslejimit si duhet të ngrehinës që na la diktatura komuniste kanë vulën e tyre në krizën e përgjithshme, sidomos në atë të krizës tonë morale si shoqëri. Një krizë që ka nevojë urgjente të lexohet, nëse kemi ende dëshirën t’u themi fëmijëve se këtu mund të jetohet.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!