“Viktima të dhunës,” përse Policia nuk vendos sinjalin Amber për gjetjen e fëmijëve të humbur në Shqipëri!

schedule19:04 - 25 Maj, 2020

schedule 19:04 - 25 Maj, 2020

Qendra Kombëtare për Fëmijët e Humbur në Shqipëri bën me dije se vendosja e sinjalit Amber është i  rëndësishëm për të mbrojtur fëmijët të cilët rrezikojnë të bëhen viktima të dhunës dhe shfrytëzimit seksual apo ekonomik.

Drejtuar Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë shqiptare kjo qendër shpreh shqetësimin për mungesën e veprimeve në Polici për të marrë në mbrojtje fëmijët e humbur.

Reagimi:

Pse nuk vendos Policia e Shtetit Sinjalin Amber për gjetjen e fëmijëve të humbur në Shqipëri!

Qendra Kombëtare për Fëmijët e Humbur në Shqipëri është seriozisht e shqetësuar për mungesën e veprimeve dhe protokolleve të punës në Policinë e Shtetit për të marrë në mbrojtje fëmijët e humbur!

Tiranë, 25 Maj 2020 – Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur, Qendra Kombëtare për Fëmijët e Humbur, një shërbim i përbashkët i CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-000, kërkon të sjellë në vëmendjen e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe të Qeverisë Shqiptare, detyrimin dhe përgjegjësinë e tyre për të mbrojtur fëmijët në Shqipëri, sidomos ata që janë më të rrezikuarit për t’u bërë viktima të dhunës dhe shfrytëzimit seksual apo ekonomik.

Sipas të dhënave të vetë Policisë së Shtetit, çdo tre ditë në Shqipëri humbet një fëmijë ose përafërsisht rreth 120 fëmijë në vit! Pikërisht sot, në ditën kur e gjithë bota sjell në vëmendje të gjitha përpjekjet që çdo shtet realizon për fëmijët e humbur, një vajzë 12 vjeçare rezulton e humbur që dje dhe nuk dihet asgjë për fatin e saj, si dhe të paktën 14 fëmijëve të tjerë të humbur në vitet e shkuara.

Disa prej këtyre fëmijëve rezultojnë të rrëmbyer nga familjarët e tyre, të tjerë largohen nga familja për shkak të dhunës dhe abuzimit, ku rreziku kryesor është që ata të bëhen pre e grupeve kriminale apo grabitqarëve seksualë.

Shqipëria vijon të renditet ndër vendet më problematike në Europë në lidhje me mungesën e masave për mbrojtjen e fëmijëve të humbur, të shfrytëzuar dhe të trafikuar për qëllime seksuale. Ndërkohë që pjesa më e madhe e vendeve Europiane kanë vite tashmë që zbatojnë Sinjalin Amber, sa herë që një fëmijë humbet dhe dyshohet se është në rrezik për jetën.

Ndërkohë që Policia e Shtetit, ndonëse i është ofruar falas ky shërbim prej tashmë dy vjetësh nga Qendra Kombëtare për Fëmijët e Humbur në Shqipëri, vazhdon ende të mos kthejë përgjigje zyrtare për zbatimin ose jo të saj. Pyetja që me të drejtë mund të bëhet është: Kujt i intereson që të mos ketë sinjal Amber dhe që fëmijët e humbur të mos gjenden në Shqipëri?

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur, ne i drejtojmë edhe një herë këtë thirrje publike Policisë së Shtetit: Zbatoni sinjalin Amber, mbroni fëmijët e humbur në Shqipëri!

Humbja e fëmijëve nuk është vetëm një çështje komplekse por dhe një problem ndaj të cilit asnjë shtet nuk gëzon imunitet! Përgjatë viteve 2016-2019 sipas të dhënave të Policisë së Shtetit 365 fëmijë kanë humbur, prej të cilëve 258 vajza dhe 107 djem.

Ndërsa 353 fëmijë janë rikthyer pranë familjes, pjesa tjetër vijojnë të konsiderohen të humbur. Çdo vit, më tepër se 850.000 fëmijë në botë raportohen të humbur.

Për më shumë informacion kontaktoni:

Qendra Kombëtare për Fëmijët e Humbur në Shqipëri

Altin Hazizaj                                                                  Mirgit Vataj

CRCA/ECPAT Shqipëri                                                         ALO 116-000

Email: [email protected]                                                               Email: [email protected]

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!