Në vendin tonë prej dy ditësh vijon të jetë i hapur vaksinimi për të gjithë të rinjtë +18 vjeç. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu këtë të mërkurë ka publikuar një video ku u bën apel qytetarëve që të paraqiten pranë qendrave të vaksinimit për të marrë vaksinën anti Covid.
Manastirliu ka publikuar një video me dëshmitë e disa qytetarëve që kanë kryer vaksinimin antiCOVID në dy ditet e vaksinimit të hapur.
“Vijon në të gjithë vendin vaksinimi i hapur +18 vjeç në qendrat e vaksinimit të përqëndruar, ku ekipet tona mjekësore po bëjnë një punë të palodhur për t’iu përgjigjur në çdo kohë nevojave të qytetarëve. Qendrat e vaksinimit do të jenë të hapura deri në orën 20:00“, shkruan Manastirliu.
Qytetarët në videon e publikuar në Facebook kanë vlerësuar nismën për vaksinimin e hapur dhe duke shprehur vlerësim për organizimin e këtij procesi.
“Jam 33 vjeç dhe shpresoj ta bëjnë të gjithë”.
Një tjetër qytetare shprehet se ndihet më e sigurtë pas vaksinës.
“Shyqyr që na erdhi dita ta bëjmë“, thotë një tjetër qytetare.
Ndërkohë prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 955,498 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 399,246 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID. e.su./abcnews.al