Vijon përplasja mes presidentit amerikan Trump dhe demokratëve mbi fondin për ndërtimin e murit me Meksikën. Kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte kërkuar që në projektbuxhetin e vitit 2019 të ishte dhe një fond prej 5.7 miliardë dollarësh për realizimin e murit. Demokratët nuk pranojnë duke detyruar qeverinë të aktivizojë “shutdown”-in e radhës. Pra ndërprerjen e shërbimeve publike federale që konsiderohen jo thelbësore. Përpjekja e fundit për negociata dështoi duke bërë që shatdoën të shtyhet dhe një javë tjetër. Por cilat janë shërbimetqë përfshihen dhe pasojat për punëtorët.
Të detyruar të qëndrojnë në shtëpi. Apo më keq akoma, të punojnë pa u paguar. Janë më shumë se 800 mijë nënpunësit federal që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës paguajnë pasojat e përplasjes mes presidentit amerikan Donald Trump dhe demokratëve në Kongres përsa i përket fondit për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Një situatë që ka çuar në mbylljen, apo gjysmë bllokimin e shumë agjencive qeveritare që kanë mbetur pa fonde, duke kompromentuar brenda një jave punën e rreth 25 përqind të administratës. Dhe nuk ka përfunduar ende meqenëse pa asnjë marrëveshje në horizont, kjo bllokadë pritet të zgjasë deri në ditët e para të Janarit.
Janë 350 mijë punëtorët, të cilëve iu është komunikuar që të mos paraqiten në punë deri në një lajmërim të ri. Dhe departamenti i fundit që do të ndalojë është ai i agjencisë federale për mbrojtjen ambientale. Nënpunësit janë lajmëruar se duke filluar që nga e hëna zyrat do të jenë të mbyllura. Por ato që po vuajnë më shumë pasojat janë agjencitë shkencore që merren me kërkime. Pasojja këto që ndihen dhe në sektorin privat. Ky rrezikon të jetë “shatdown” më i gjatë dhe shkatërrues në historinë amerikane, sipas analistëve, për më tepër që asnjë marrëveshje nuk duket në horizont.
Nga njëra anë është presidenti amerikan i cili nuk heq dorë dhe kërkon 5 miliardë dollarët për të realizuar murin më Meksikën. Aq sa dhe të kërcënojë mbylljen totale të kufirit në jug si dhe ndërprerjen e ndihmave për të gjitha vendet e Amerikës Qendrore nga ku vijnë pjesa më e madhe e emigrantëve: Ekuador, El Salvador dhe Guatemala. Nga ana tjetër janë demokratët, të cilët të fortë pas rezulateteve të zgjedhjeve të mes mandatit në Nëntor, nuk kanë asnjë nxitim dhe presin uljen e Kongresit të ri ku do të kenë sërish mazhorancën në dhomën e deputetëve. Ata tashmë kanë në dorë mundësinë që të rrëzojnë përfundimisht premtimin symbol të fushatës elektorale të Trump, atë mur që i solli aq shumë vota Trump.
Ata që paguajnë çmimin më të lartë të këtij shatdown-i janë pikërisht nënpunësit e zyrave qeveritare dhe shteteve të veçanta amerikane që detyrohen të përballen me situatën me shpenzimet e tyre, si për shembull për mbledhjen e mbeturinave dhe shërbime të tjera në terrene federale. Në këtë situatë kaotike Trump, ashtu si ndodhi dhe për Krishtlindje, ka vendosur të heqë dorë nga pushimet e Vitit të Ri dhe të anulojë të gjitha programet e parashikuara për ditët në vijim. Ai do të vazhdojë të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë, gjithnjë e më i vetmuar dhe i izoluar, duke pritur 2019-n që duke përmendur “Russiagate” dhe hijen e “impeachment” nuk premton asgjë të mirë. I rrethuar tashmë vetëm nga shumë pak persona tek të cilët mund të ketë vërtet besim. Por pjesën më të madhe të administratës ai e ka kundër, duke përmendur këtu shkarkimet e bujshme të dy ish-gjeneralëve të tij, por dhe dy personave më të besueshëm të ekipit: kreu i stafit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis./abcnews.al