Vijojnë trazirat në Libi

schedule17:18 - 7 Prill, 2019

schedule 17:18 - 7 Prill, 2019

Në Libi vijojnë trazirat, me rebelët që synojnë të marrin nën kontroll Tripolin. Duke reaguar kryeministri i mbështetur nga OKB ka deklaruar se nuk do të dorëzohet, ndërsa ka akuzuar presidentin francez Macron se mbështet fraksionet rebele.

Kryeministri libian i mbështetur nga OKB ka deklaruar se do të mbrojë Tripolin nga forcat rebele që po avancojnë nga lindja e kryeqytetit. Në një fjalim televiziv, Fajez al Serraj akuzoi gjeneralin Khalifa Haftar se ka organizuar një grusht shteti, si dhe e paralajmëroi atë se trupat e tij do të përballen me forcën dhe vendosmërinë e qeverisë.

Aktualisht rebelët ndodhen në rrethinat e kryeqytetit dhe pretendojnë se kanë marrë nën kontroll aeroportin e tij. Ata po avancojnë në Tripoli përmes një sulmi që zgjat prej ditësh edhe në jug e perëndim të qytetit, edhe pse ecuria e tyre është ngadalësuar nga ndërhyrja e forcave qeveritare.

Ushtria Kombëtare Libiane e gjeneralit Haftar mori nën kontroll pak muaj më parë edhe jugun e Libisë dhe fushat e pasura me naftë. Vendi i Lindjes së Mesme është gërryer nga dhuna dhe destabiliteti politik që kur lideri historik Muamar Gadafi u rrëzua nga pushteti dhe u vra në vitin 2011.

Gjenerali Haftar urdhëroi forcat e tij të avanconin drejt kryeqytetit të enjten e kaluar, kur atje ndodhej sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, i cili do të diskutonte krizën që ka përfshirë vendin.

Haftar dhe Guterres u takuan një ditë më vonë në Bengazi dhe gjenerali deklaroi se trupat e tij nuk do të ndalen derisa të mposhtet terrorizmi, duke iu referuar qeverisë së Al Serraj. Ndërkohë, në fjalimin e tij kryeministri ka akuzuar presidentin francez Emanuel Macron se mbështet Haftar dhe trupat e tij për të ndërruar regjimin në Libi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!