“Vijat e kuqe” të 30 qershorit, Murrizi: Demokracia si futbolli, nëse s’shkon në ndeshje, humb në tavolinë

schedule21:39 - 4 Nëntor, 2021

schedule 21:39 - 4 Nëntor, 2021

Për ish-deputetin Myslim Murrizi, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit është një goditje për këdo zyrtar deri te kreu i shtetit se nuk mund të përdoret firma apo vula për të mbajtur anë. Murrizi tha në “Log.” në ABC se rregullat e demokracisë janë si futbolli dhe në rast se nuk shkon në ndeshje, ti do e humbësh atë në tavolinë.

“Më e rënduar këtu është PD. Është një goditje edhe për këdo zyrtar, qoftë kjo edhe për kreun e shtetit sepse nuk mund të përdorën firmën dhe vulën për të mbajtur anën. Rregullat e demokracisë janë si futbolli, nëse nuk shkon në ndeshje, humb në tavolinë. PD do merrte edhe 7 ose 8 mandate më  shumë më 25 prill nëse do merrte pjesë në zgjedhjet lokale”, tha Murrizi.

Ndërkohë ish kreu i SHISH Fatos Klosi deklaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është brenda logjikës pasi sipas tij nuk mund ta pësojë i gjithë vendi në rast se një parti vendos të mos shkojë në zgjedhje.

“Është një vendim që e prisja. Brenda logjikës sime. Nuk jam marrë me Venecian. Në qoftë se partitë nuk duan për arsye të ndryshme. Është zgjedhja e partisë. Ndërkohë që nuk mund të shkosh ti dhe gjithë vendi ta pësojë nga dëshirat e tua. Nuk mund të kundërshtosh të bëmat e mbrapshta sipas opozitës duke mos vajtur në zgjedhje. Po nuk vajte është absurde. Tani jam fjalë për fjalë me zotin Murrizi që tani të gjithë pushtetarët duhet ta kenë të qartë që nuk zgjidhen problemet me bojkot”, u shpreh Klosi.

Njëjtë mendon edhe kryeinspektori Shkëlqim Hajdari, i cili theksoi se mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje nuk kishte bazë ligjore.

“Lëvizjet politike duhet të shikohen edhe nga pikëpamja e organizimit. A të jep mundësi korniza kushtetuese? Unë mendoj se të gjithë këto lëvizje, mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje nuk kishte bazë ligjore. Ajo ishte lëvizje e pastër politike. Braktisja e zgjedhjeve, presidenti humbi funksionet duke dalë mbi palët”, u shpreh Hajdari.

Ndërkohë ish-kreu i KQZ Kristaq Kume u shpreh se Venecia ndryshoi dy herë qëndrimin e saj në lidhje me vendimin e presidentit për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve, duke e cilësuar sipas tij fillimisht kapërcim të kompetencave dhe më pas shkelje.

“Për të gjykuar se çfarë ka ndodhur dhe çfarë do sjellë vendimi i GJK është e domosdoshme të shohim arsyetimin. Fakti që e rrëzoi kërkesën nuk mund të quhet si përgjigje për sjelljen apo dilemën nëse mund të marrësh pjesë në zgjedhje. Komisioni i Venecias është shprehur për këtë gjë në përgjigje të pyetjes së dytë të bërë nga Gjykata Kushtetuese.

Nëse lexohet me vëmendje, ai opinion e hedh si situatë të papranueshme faktin që në një situatë politike të caktuar të prevalojë pranimi i pluralizmit mbi periodicitetin. Por që të shtyhen zgjedhjet duhet të kesh një bazë ligjore. Dekreti në opinionin e parë të Venecias, rezultoi se Meta ka kapërcyer kompetencat. Tani opinioni i dytë thotë se ka shkelur. Nuk përdor më termin kapërcyer. Nuk kemi pse bëjmë krahasim. Sa i takon faktit nëse ky vendim i legjitimoi apo jo zgjedhjet. Duhet të dimë arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse ka ndjekur fjalë për fjalë arsyetimin e gjykatës Kushtetuese”, tha Kume. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!