Vidhte portofolat e plazhistëve, arrestohet 42 vjeçari

schedule10:15 - 25 Gusht, 2019

schedule 10:15 - 25 Gusht, 2019

Arrestohet një 42 vjeçar nga policia e Durrësit, pasi vidhte portofolat plazhistëve të cilët udhëtonin në linjën urbanëve të Durrës-Plazh. Sipas policisë është finalizuar operacioni “Udhëtari”, zhvilluar nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës.

Njoftimi i policisë:

“Arrestohet 42 vjeçari, i cili dyshohet se ka kryer një sërë vjedhjesh të pasagjerëve të linjës për në Plazh.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 200 euro , që ua kishte vjedhur pasagjerëve të linjës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës kanë finalizuar me sukses një tjetër operacion në fushën e mbrojtjes së pasurisë, duke arrestuar në flagrancë shtetasin A.M., 42 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.

Shtetësi i mësipërm, më datë 24.08.2019, në mbrëmje, në lagjen Nr .17/1 Durrës, në Urbanin e linjës Durrës – Plazhi dyshohet se i ka vjedhur shtetasit E.B., banues në Mitrovicë , portofolin ku kishte 200 €, karta banke, kartë identiteti.

Më pas ka tentuar të largohet, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja e tij.

Nga hetimet e kryera rezulton dhe është dokumentuar se shtetasi i arrestuar gjatë dy muajve të fundit ka realizuar disa vjedhje portofolash të udhëtarëve të ndryshëm te cilet udhetonin me urbanin e linjës Durrës -Plazh dhe anasjelltas, konkretisht:

• Më datë 07.06.2019 dyshohet se në urban, në xhep i ka vjedhur portofolin shtetasit E.D., ku kishte vlera monetare dhe dokumenta.

• Më datë 03.08.2019 dyshohet se në urban i ka vjedhur shtetases I.H., portofolin dhe telefonin celular.

• Më datë 15.08.2019, dyshohet se në urban i ka vjedhur shtetasit A.D., portofolin ku kishte vlera monetare dhe dokumenta.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan një sasi parash në €, portofol, kartë banke dhe kartë identiteti.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale” Vjedhja” parashikuar në nenin 134 të Kodit Penal”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!