Vidhte kartat e identitetit pacientëve në spitalin psikiatrik për të marrë kredi, arrestohet infermierja

schedule10:23 - 28 Shtator, 2021

schedule 10:23 - 28 Shtator, 2021

Zbardhet skema e mashtrimit në Tiranë. Elisabeta Bardhollari, infermiere është arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohet se vidhte kartat e identitetit të pacientëve në spitalin psikiatik në QSUT dhe i përdorte për të marrë kredi.

Në pranga është vënë edhe bashkëpunëtorja e saj Orjada Hoxha, shitëse e një dyqani elektroshtëpiake. Sipas policisë infermierja merrte kartat e pacientëve që i shkonin për mjekim dhe ia jepte bashkëpunëtores së saj për të marrë kredi me qëllim për të blerë pajisje në dyqanin ku punonte.

Këto pajisje më pas transportoheshin nga një person i tretë me iniciale A.H. dhe më pas shiteshin nga Bardhollari dhe Hoxha.

Gjatë aksionit policia ka sekuestruar pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, me vlerë rreth 40.000.000 lekë, të dyshuara si të blera përmes skemës së përfitimit.

“Finalizohet nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar operacioni policor i koduar “Elektro”. Iu vidhte kartat e identitetit pacientëve në spital, për t’i përdorur për kredi, vihet në pranga infermierja.

Në pranga edhe shitësja e një dyqani, e cila merte kredi në emër të pacientëve, për të blerë pajisje në dyqanin ku punonte. Sekuestrohen pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, me vlerë rreth 40.000.000 lekë.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Elektro”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetaseve: E. B., 39 vjeçe dhe O. H., 32 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. H.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasja E. B., e punësuar si infermiere në spital, vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për mjekim dhe më pas ia jepte shtetases O. H., e cila punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake Shtetasja O.H. i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte, të cilat transportoheshin nga shtetasi A. H. dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme hetimore”, njofton policia. m.v/abcnews.al