VIDEO | Vendosin Martinez dhe Lukaku, Sassuolos nuk i mjaftojnë 3 gola

schedule14:27 - 20 Tetor, 2019

schedule 14:27 - 20 Tetor, 2019

Ndeshje emocionuese dhe plot gola në “Mapei Stadium”. Sassuolo dhe Interi zhvilluan një takim të bukur, por në fund festuan miqtë. Tifozët e pranishëm shijuan plot 7 gola.

Lautaro Martinez zhbllokoi shumë shpejt ndeshjen. Sulmuesi argjentinas shënoi një gol të bukur me një goditje të saktë nga jashtë zonës. Ishte minuta e dytë, por vendasit nuk u demoralizuan. Domenico Berardi, i cili i ka “gjah të preferuar” zikaltrit, barazoi ndeshjen pas 14 minutash.

Diagonalja e sulmuesit të Sassuolos përfundoi në rrjetë dhe dedikimi ishte për Giorgio Squinzin, ish-presidentin e Sassuolos, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë.

Martinez gjeti përsëri golin, por VAR-i e anuloi për një faull të Lukakut. Teknologjia nuk kishte çfarë të bënte në minutën e 38-të. Romelu Lukaku riktheu zikaltrit në avantazh, ndërsa në minutën e fundit të pjesës së parë u tregua i saktë nga pika e penalltisë.

Pjesa e parë përfundoi 1-3 për ekipin e Contes. E dyta nisi qetë, ndërsa Interi shënoi sërish. Tjetër penallti për miqtë dhe përpara portierit vendas u vendos Martinez. Sulmuesi nuk gaboi dhe gjeti golin e dytë personal.

U duk se ndeshja nuk kishte më histori, por Sassuolo e rihapi atë. Djuricic dhe Boga shënuan dy gola dhe në stadium u rikthye shpresa e barazimit. Diçka e tillë nuk ndodhi Interi arriti të ruajë avantazhin, duke siguruar një fitore të rëndësishme.

23 pikë dhe vendi i dytë për ekipin e Contes, vetëm një më pak se kryesuesit e Juventusit, ndërsa Sassuolo mbetet në kuotën e 6 pikëve. /abcnews.al

Sassuolo – Inter 3-4
(Berardi 16′, Djuricic 74′, Boga 82′ / Martinez 2′, (pen) 71′, Lukaku 38′, (pen) 45′)