Një tjetër e papritur në NBA. Milwaukee Bucks, skuadra më e mirë e sezonit të rregullt, pësoi humbjen e dytë kundër Miami Heat dhe rrezikon eliminimin
Tani që rezultati u bë 0-2 të gjithë po pyesin veten nëse me të vërtetë ka mbërritur fundi! Miami Heat triumfoi minimalisht, me rezultatin 116-114, ndaj Milaukee Bucks edhe në ndeshjen e dytë të raundit të dytë të “play off” në NBA.
“Sirenat” e alarmit po bien për lojtarin më të mirë të dy sezoneve të fundit, Giannis Antetokounmpo. Ai nuk po arrin ta udhëheqë ekipin drejt sukseseve, siç nuk ia doli dot as vjet kur u eliminua në finalen e Konferencës Lindore nga Toronto Raptors.
Vetë Antetokounmpo nuk luajti keq, pasi shënoi 29 pikë e kapi 14 topa në tabela, duke shtuar edhe 3 asiste. Edhe me realizimin ai mund të vlerësohet pozitivisht, pra gaboi pak në gjuajtje, por Milwaukee Bucks pati vetëm 3 lojtarë që e ndihmuan, Khris Middleton (23 pikë, 6 topa në tabela, 8 asiste), Brook Lopez (16, 7, 0) dhe Eric Bledsoe (16,7,2).
Në krahun tjetër Miami pati 7 lojtarë që shënuan mbi 10 pikë, që nga Dragiç me 23, e pastaj Krauder, Adebajo, Batler, Robinson, Olinik dhe Herro. Miami Heat ishte 6 pikë përpara, kur duheshin edhe rreth 20 sekonda, por Milwaukke Bucks nuk u dorëzua dhe arriti të barazonte kur mbeteshin edhe vetëm 4 sekonda.
Në një përfundim tepër emocionues, Antetokounmpo ndaloi me faull Jimmy Butler dhe ky u tregua i saktë në dy gjuajtjet personale, duke i dhënë skuadrës nga Florida epërsinë 2-0 dhe duke e bërë favorite për të shkuar në finalen e Konferencës Lindore. /abcnews.al