VIDEO/ Theo i jashtëzakonshëm, pathyeshmëria vazhdon. Milani shpëton në shtesa

schedule22:48 - 13 Dhjetor, 2020

schedule 22:48 - 13 Dhjetor, 2020

Milani vazhdon të ruajë pathyeshmërinë në kampionat, aty ku nuk humbet prej muajit mars. Kuqezinjtë e mbyllën në barazim 2-2 takimin në  “San Siro” ndaj Parmës, takim ku djemtë e Stefano Piolit u ndalën 4 herë nga shtyllat dhe traversat.

Brahim Diaz dhe tre herë Hakan Calhanoglu, nuk kishin aspak fat në goditjet e tyre. Sfida nisi keq për ekipin kryesues të Serie A. Në minutën e pestë u dëmtuar mbrojtësi Gabbia, ndërsa 8 minuta më vonë erdhi goli i skuadrës mike.

Braziliani Hernani shfrytëzoi një asist të Gervinho dhe mposhti Donnarummën me një goditje të saktë nga brenda zonës. Samu Castillejo gjeti golin e barazimit në mesin e pjesës së parë, por teknologjia VAR anuloi festën e Milanit për pozicion të parregullt milimetrik të spanjollit, vendim që do të shkaktojë polemika.

Parma e nisi mirë edhe fraksionin e dytë të takimit dhe realizoi me anë të sllovenit Jasmin Kurtic në minutën e 56-të. Djemtë e Stefano Piolit reaguan dhe shkurtuan diferencën dy minuta më vonë. Theo Hernandez u zhyt bukur me kokë pas një goditje këndi dhe topi në rrjetë.

Milani në sulm në kërkim të golit të barazimit, që erdhi në minutat shtesë të ndeshjes. Sërish Theo Hernandez autori i golit. Mbrojtësi i majtë dhuroi një diagonale fantastike, duke gjetur golin e dytë personal dhe duke i dhuruar një pikë ekipit të tij, që vazhdon të kryesojë Serie A, por tashmë me vetëm tre pikë më shumë se Interi ndjekës. /abcnews.al

Serie A, java e 11-të
Milan-Parma 2-2
(Theo Hernandez 58′, 90+1′ / Hernani 13′, Kurtic 56′)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!