Premier League është rikthyer dhe ditën e djeshme u zhvilluan tre sfida. Everton-Liverpool ishte ndeshja më emocionuese, por rezultoi një derbi i dobët, me pak raste, pa gola dhe me dy skuadrat që ndanë nga një pikë.
Në fillimin e takimit, si në të gjitha ndeshjet e tjera, lojtarët u ulën në gjunjë duke u solidarizuar me ngjarjet e ndodhura në Amerikë, konkretisht me vdekjen e George Floyd nga policia. Në momentin e vërshëllimit nga ana e gjyqtarit, të gjithë lojtarët u ulën në gjunjë, përveç Sadio Mane.
Sulmuesi afrikan i “The Reds”, u nis në sprint drejt zonës kundërshtare, por e kuptoi menjëherë se duhej të kthehet mbrapsht. Senegalezi u rikthye në vendin e tij, duke respektuar deri në fund ceremoninë. Megjithatë, veprimi i tij tashmë është bërë viral në rrjetet sociale. /abcnews.al