Arena Kombëtare do të jetë gati pas një jave. Në impiantin me vlerë 70 milionë euro, po jepet dora e fundit e punimeve, ndërsa është ndryshuar vendi i kamerave dhe i gazetarëve
Është ende i rrethuar nga pluhuri dhe rrënoja, por të betohen se do jetë gati në kohë. Kjo është Arena Kombëtare, ende pa emër sponsori, pa asfaltin në rrugët rreth saj, edhe pse me fasadën tashmë të përfunduar.
Vonesat për shkak të parkimeve kuturu të qytetarëve tashmë janë harruar, por ka të tjera sa për t’i shqetësuar ata që punojnë aty. Probleme të paparashikuara ka plot, kabllo nëntokësorë apo tubacione, si dhe zvarritje për shkak të bashkëpunimit të çalë me UKT-në apo OSSHE-në.
Gjithsesi, sa më shumë afron 17 nëntori, aq më shumë gjendja kthjellohet. Për fat, në brendësi syri nis të ndihet më mirë. Fusha thuajse e përfunduar, po ashtu tribunat dhe ulëset e kuqe të vendosura, ndoshta 99 për qind. Ndriçimi LED është gati, i testuar disa herë, po ashtu gati kamerat e sigurisë dhe bokset e fonisë. /ABC NEWS ALBANIA 24/7