VIDEO/ Spanja “thyen” Skocinë, Montella fiton të parën me Turqinë,  Polonia e Noregjia bëjnë “detyrën”

schedule23:10 - 12 Tetor, 2023

schedule 23:10 - 12 Tetor, 2023

Përveç sfidave Shqiperi-Çeki e Andorrë-Kosovë kanë përfunduar dhe 4 sfida të tjera të vlefshme për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, ku nuk ka munguar spektakli dhe golat e shënuar.

Kështu, në “Estadio de La Cartuja” të Seviljas, “iberikët” vendas mundën me rezultatin e pastër, 2 me 0, Kombëtaren e Skocisë. Golat e “bomberit” Alvaro Morata dhe “fantazistit” Oihan Sancet, në minutat 73’ e 86’ mjaftuan ndaj rivalëve skocezë për të arritur një fitore tepër të rëndësishme në grupin A.

Në përballjen tjetër, të këtij grupi, Norvegjia e Erling Haaland mposhti me “poker”, skuadrën e Qipro, në “shtëpinë” e këtyre të fundit. Goli i parë i sfidës erdhi nga Sorloth në minutën e 33’-të të sfidës, për t’ia lënë vendin “bomberit” Erling Haaland, i cili shënoi një dopietë në minutat 65’ e 72’, ndërsa për të “vulosur” rezultatin, 0 me 4 mendoi anësori i Benfica, Fredick Aursnes, me golin e tij, në minutën e 81’-të të sfidës. Falë këtyre rezultateve, Skocia mbetet në vendin e parë me 15 pikë, Spanja në vendin e 2-të me 12 pikë, ndërsa në vendin e 3-të pozicionohet Norvegjia me 10 pikë.

Në krahun tjetër, në grupin D, Turqia e teknikut Vincenzo Montella arrin një fitore me shumë vlera në “Opus Arena” aty ku mundën me rezultatin minimal, 0 me 1, vendasit e Kroacisë. Goli i vetëm i sfidës erdhi nga talenti i sulmit të Galatasaray, Baris Yilmaz, i cili me një goditje potente mposhti portierin Livakovic. Falë këtij triumfi, Turqia ngjitet në vendin e parë të grupit D, me 3 pikë më shumë se kroatët.

Ndërkaq, në përballjen e fundit të kësaj mbrëmjeje, Polonia është rikthyer te fitorja teksa në arenën “Torsvollur” ka mundur përfaqësuesen e Ishujve Faroe, me rezultatin e pastër 0 me 2. Nga një  gol në secilën pjesë mjaftoi për rivalët tanë në grupin E, teksa fillimisht rrugën e rrejtës e gjeti Szymanski, në minutën e 4’-rt, ndërsa në minutën e 65’-të Buksa “vulosi” fitoren e skuadrës së tij. Falë këtij rezultati, Polonia ngjitet në vendin e 2-të në grupin E, duke para kaluar kështu rivalët e Çekisë dhe mbesin 4 pikë larg “legjionarëve” tanë që renditen të parët në këtë grup. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLAT: 

Spanjë 2 – 0 Skoci

Kroaci 0 – 1 Turqi

Ishujt Faroe 0 – 2 Poloni

Qipro 0 – 4 Norvegji

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!