VIDEO/ Southampton e Everton vazhdojnë “të fundosen”, Wolves triumfon në “betejën” e Brentford

schedule19:24 - 15 Prill, 2023

schedule 19:24 - 15 Prill, 2023

Përveç “bluve” të Chelsea e Tottenham që zhvilluan ditën e sotme përballjet e tyre ndaj Birghton e Bournemouth, në Kampionatin anglez të futbollit, Premier League janë zhvilluar dhe 3 sfida të tjera të vlefshme për raundin e 31-të të sezonit.

Kështu, në arenën “Goodison Park” të Liverpulit, vendasit e Everton u mundën paq me rezultatin 1 me 3 nga Fulham. Të parët avantazhin e morën miqtë me Harrison Reed, që çoi topin në rrjetën e Pickford që në minutën e 22’-të, por pjesa e parë nuk mbaroi me aq, pasi vetëm 13 minuta më vonë Dwight McNeil barazon shifrat përkohësisht pas një aksioni fantastik të vendasve. Me fillimin e pjesës së dytë miqtë e Fulham shënuan dhe 2 herë të tjera, fillimisht me Wilson në minutën e 51’-të e më pas me uellsianin Daniel James nëminutën e 68’-të duke siguruar kështu një tjetër fitore në Premier League.

Në krahun tjetër, Southampton ka vazhduar serinë e ndeshjeve pa fitore, teksa në “St. Mary’s Stadium”, “shenjtorët” vendas u mundën me rezultatin e pastër 0 me 2 nga Crystal Palace. Të dy golat e sfidës erdhën në pjesën e dytë, me anësorin anglez të “shqiponjave”, Eberechi Eze, i cili shënoi një dopietë në minutat 54’ e 68’ të sfidës, duke i dhënë vendasve goditjen fatale.

Në anën tjetër, “ujqërit” e Wolves triumfuan në arenën “Molineux Stadium” me rezultatin e pastër 2 me 0, ndaj “bletëve” të Brentford, ku për vendasit mjaftoi nga një gol në secilën pjesë, në mënyrë që të arrinin fitoren. I pari shënoi ish-“bomberi” i Chelsea e Atletico Madrid, Diego Costa, i cili në minutën e 27’-të të sfidës çoi topin në rrjetën e portierit Raya, duke shënuar kështu golin e parë me “ujqërit” që kur nënshkroi për ta. Ndërkaq, për golin e dytë mendoi koreano-jugori Hwang Hee-Chan, i cili tundi rrjetën e kundërshtarëve me një goditje fantastike në minutën e 69’-të.

Me këto rezultate, Everton e Southampton mbesin po në të njëjtin vend, me “blutë” që pozicionohen në vendin e 17-të me 27 pikë, ndërsa “shenjtorët” e Southampton në vendin e fundit të tabelës me 23 pikë. Crystal Palace e Wolves ndodhen në vendin e 12-të dhe 13-të të tabelës, me nga 36 e 34 pikë respektivisht, ndërsa Brentford e Fulham janë të pozicionuar si të 9-tët e të 10-tët në tabelë, me nga 43 e 42 pikë. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLAT: 

Everton 1-3 Fulham

Goli i Reed:

Goli i McNeil:

Goli i Wilson:

Goli i Daniel James:

Wolves 2-0 Brentford

Goli i Diego Costa:

Goli i Hwang Hee-Chan:

Southampton 0-2 Crystal Palace

Dopieta e Eberechi Eze:

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!