VIDEO/ Shifër jubilare për Antetokounmpo, Bucks shtypin Chicago Bulls

schedule13:57 - 21 Janar, 2020

schedule 13:57 - 21 Janar, 2020

Giannis Antetokounmpo e nderoi siç duhet Martin Luter King, heroin e të drejtave të njeriut në Amerikë. Ylli i Milwaukee Bucks arriti kuotën e 10 000 pikëve të shënuara në basketbollin amerikan.

Ishte mbrëmje përkujtimore në NBA. Basketbolli amerikan, ashtu si gjithë Shtetet e Bashkuara, nderuan Ditën e Martin Luter King, një festë federale për ditëlindjen e ish-udhëheqësit të Lëvizjes për të drejtat e njeriut, që luftoi kundër racizmit.

Plot 14 ndeshje u luajtën në të gjithë territorin amerikan dhe shumë yje e nderuan siç duhet kujtimin e personalitetit të shquar, ku mes të tjerëve u dallua Giannis Antetokounmpo. Lideri i Milwaukee Bucks dha një tjetër shfaqje të klasit të tij, që po dominon NBA-në këtë sezon.

Ai arriti një “triple double”, si dhe kaloi shifrën e 10 000 pikëve të shënuara në karrierë në fitoren e Milwaukee Bucks ndaj Chicago Bulls. Nuk ishte një rekord, pasi LeBron James ia doli kur ishte 23 vjeç dhe Kobe Bryant pak më shumë se 24, ndërsa Antetokounmpo i mbushi 25 dhjetorin e kaluar.

Lojtari më i mirë i sezonit të fundit shënoi 28 pikë, kapi 14 topa në tabela dhe shërbeu 10 asiste në suksesin që u arrit me shifrat 111-98. Khris Middleton e ndihmoi kapitenin e tij me 24 pikë, ndërsa Milwaukee Bucks arriti fitoren e shtatë radhazi, duke qenë skuadra më e mirë e NBA-së me 39 fitore e vetëm 6 humbje.

Antetokounmpo shkëlqeu, në një mbrëmje kur pati edhe kulme të tjera si 61 pikët e shënuar nga Damien Lillard për Portland Trail Blazers, apo si suksesi i thellë i Boston Celtics ndaj Los Angeles Lakers të LeBron James, me shifrat 139-107. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!