Sherri masiv në ndeshjen e 19-vjeçarëve të Football Republic dhe Teutës ka “tërbuar” edhe Federatën Shqiptarë të Futbollit, që dënon aktet e dhunës dhe kërkon nga Policia e Shtetit të reagojë menjëherë dhe të arrestojë autores e ngjarjes së shëmtuar.
Nën akuzë janë edhe forcat e rendit, që sipas qeverisë së futbollit në vend nuk veprojnë në kohë dhe për pasojë shkaktarët e dhunës nuk dalin para drejtësisë. Gjithashtu FSHF kërkon zbatimin e Kodit penal, sipas të cilit personat që futen në fushë dhe dhunojnë mund të dënohen deri në 3 vite burg.
https://streamable.com/d4qsgz
REAGIMI I FSHF – “Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpërsisht dhunën e ndodhur sot në ndeshjen Football Republic-Teuta, e vlefshme për Grupin B të Kategorisë Superiore U-19.
FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar autorët e ngjarjes së rëndë dhe kërkon nxjerrjen e tyre para gjykatës, bazuar në Kodin e ri Penal.
Dëshirojmë të theksojmë se në shume raste Policia e Shtetit nuk ka vepruar në kohë dhe autorët e ngjarjeve të mëparshme ndodhen ende të lirë. Një thirrje shkon dhe për sistemin gjyqësor në Shqipëri, që duhet të zbatojë me rigorozitet Kodin Penal, i cili ruan shenjtërinë e fushës së blertë.
FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e lojës më të dashur të shqiptarëve nga sjelljet e turpshme të disa prindërve dhe autoriteteve që nuk reagojnë në kohë”, shkruhet në reagimin e FSHF-së. /abcnews.al