VIDEO/ Sheffield fiton të parën në Premier League, Brighton ndan pikët me Everton, West Ham “ngec” ndaj Brentford

schedule19:47 - 4 Nëntor, 2023

schedule 19:47 - 4 Nëntor, 2023

Përveç sfidës, Manchester City-Bournemouth, pasditen e kësaj të shtune u zhvilluan 4 sfida të tjera të vlefshme për javën e 11 të kampionatit anglez të futbollit, Premier League, ku padyshim nuk kanë munguar as surprizat.

Kështu, në “Bramall Lane”, skuadra e Sheffield United ka arritur të sigurojë fitoren e parë të këtij sezoni, ku “viktima” ishin “ujqërit” e Wolverhampton, të cilët i mundën me rezultatin e ngushtë, 2 me 1. Golat e Archer e Norwood, në minutat 72’ e 100’ nxorrën të pavlefshëm golin e Bellegarde, duke i dhuruar kështu një fitore “të artë” për mbijetesën në elitën e futbollit anglez.

Në “Goodsion Park”, “blutë” e Everton kanë arritur t’i rrëmbejnë 1 pikë, “pulëbardhave” të Brighton, duke e çuar në 3 serinë e ndeshjeve radhazi pa humbje. Goli i parë i sfidës erdhi pikër nga vendasit, me ukrainasin Viktor Mykolenko, i cili çoi topin në rrjetën e miqve, që në minutën e 7’ të sfidës, ndërsa për të barazuar shifrat mendoi një tjetër lojtar i Everton, Ashley Young, i cili çoi gabimisht topin në rrjetën e tij, duke barazuar gjithçka në minutën e 84’-t të sfidës.

Në “Brentford Community Stadium” ka ardhur dhe humbja e radhës në kampionat për “çekanët” e West Ham, të cilët pavarësisht se gjetën 2 herë rrugën e rrjetës falë Kudus e Boëen, në pjesën e parë të sfidës, sërish golat e Maupay, Collins, si dhe një autogol i Mavropanos i dha një tjetër goditje skuadrës së David Moyes, që e çon tashmë në 3 numrin e humbjeve radhazi në Premier League.

Ndërkaq, në sfidën e fundit të pasdites, atë të “Turf Moor”, “shqiponjat” e Crystal Palace arritën të mposhtnin vendasit e Burnley, me rezultatin e pastër 0 me 2, falë golave të Schlupp e Mitchell, në minutat 22’ e 94’ të sfidës, duke u rikthyer kështu pas dy humbjesh, te fitorja në elitën e futbollit anglez.

Përsa i përket renditjes, Brighton ndodhet në vendin e 7 me 18 pikë, Brentford, Crystal Palace e West Ham, në vendet 9, 10 e 11, me nga 16, 15 e 14 pikë, Wolves ndodhet në vendin e 13 me 12 pikë, Everton në të 15-tin me 11 pikë, ndërsa Burnley e Sheffield United, në 2 vendet e fundit të tabelës, me nga 4 pikë. /i.m /abcnews.al

SHIKONI GOLAT: 

Sheffield United 2 – 1 Wolverhampton

Burnley 0 – 2 Crystal Palace

Everton 1 – 1 Brighton

Brentford 3 – 2 West Ham

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!