VIDEO/ Sahiti “hakmerret” me gol, Valdet Rama humbet penallti në Gjermani

schedule17:17 - 18 Tetor, 2020

schedule 17:17 - 18 Tetor, 2020

Emir Sahitit nuk i besuan te Hajduk Split dhe sot në klubin kroat janë ndëshkuar për këtë. Sulmuesi anësor, i huazuar te skuadra e Sibenik, i ndëshkoi në ndeshjen e kampionatit dhe u shkaktoi humbjen.

Sahiti realizoi golin e parë në elitën e futbollit kroat, pas 34 minutash lojë. Sulmuesi nuk fali me një goditje nga brenda zonës, ndërkohë që Hajduk Split tentoi deri në fund të shënonte. Loja e mirë nuk u mjaftoi dhe tre pikët shkuan për Sibenik, skuadër që i ka dhënë hapësira Sahitit këtë sezon.

SHQIPTARËT E TJERË – Vejle BK ka triumfuar në Danimarkë kundër Lyngby, me rezultatin 3-2. Edhe pse dy herë miqtë kaluan në epërsi, skuadra e Ramadanit dhe e Muçollit ia doli të barazonte dhe ta përmbyste rezultatin. I pari ishte titullar, kurse i dyti u aktivizua me fillimin e pjesës së dytë.

Në Gjermani në fushë nga minuta e parë për Meppen ishte sulmuesi Valdet Rama, i cili ka humbur derbin me sulmuesin Albert Bunjaku. Futbollisti dardan ishte protagonist, pasi shënoi golin e vetëm që i dha fitoren 0-1 skuadrës së tij, Viktoria Koln. Nga ana tjetër Rama nuk shënoi me penallti në minutën e 27-të, çka normalisht e ka penalizuar skuadrën e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!