Mund të kishte qenë mbrëmja e Amir Rrahmanit, por fati nuk ishte me mbrojtësin dardan. Në takimin mes “Bluve” të Napoli dhe skuadrës së Cagliari, në stadiumin “Maradona”, ish-mbrojtësi i Partizanit goditi shtyllën në minutën e 29’-të.
Vendësit kishin fituar një goditje dënimi afër zonës së kundërshtarëve dhe në zhvillimet e saj, topi gjen kokën e Rrahmanit, që për çështje centimetrash nuk e dërgoi topin në rrjetë, por goditi shtyllën. Me të drejtë 29-vjeçari vë duart në kokë, do të kishte qenë një gol vërtet i bukur.
Gjithsesi, pas shumë përpjekjesh, Napoli ia doli të merrte maksimumin e pikëve para publikut vendës. Goli që zhbllokoi takimin e shënoi Osimhen në minutën e 69’-të.
Vetëm tri minuta më vonë Cagliari u kundërpërgjigj me Pavoletti, që ktheu baraspeshën në rezultat. Vendësit nuk mund ta pranonin këtë rezultat dhe u hodhën menjëherë në sulm, për të rimarrë epërsinë me golin e dytë të shënuar nga Kvaratskhelia.
Fitore jo pa vuajte për Napoli-n, që parakalon Roma-n në renditje, por skuadra e Mourinhos zbret në fushë këtë të diel kundër Bologna-s. /i.m /abcnews.al