VIDEO/ PSG mbret në “Old Trafford”, Juventusi dhe Barça triumfojnë me “tris”

schedule22:55 - 2 Dhjetor, 2020

schedule 22:55 - 2 Dhjetor, 2020

Kanë përfunduar ndeshjet e mbrëmjes në Champions League. PSG ia doli të mposhtë 1-3 Manchester United në “Old Trafford”, duke siguruar një trepikësh fantastik dhe të rëndësishëm për kualifikimin.

Neymar me anë të një dygolëshi dhe Marquinhos realizuan golat e fitores për nënkampionët në fuqi, teksa Rashford barazoi përkohësisht rezultatin për vendasit. Situata në grupin H, kur ka mbetur për t’u luajtur edhe java e fundit, është plot rivalitet dhe emocionuese.

Golat dhe rastet e MANCHESTER UNITED-PSG

United, Leipzig dhe PSG numërojnë nga 9 pikë, teksa Basaksehir mban vendin e fundit me tre pikë. Duelet e radhës janë Leipzig-United dhe PSG-Basaksehir.

 

Barcelona dhe Juventus nuk gabuan dhe fituan me “tris” golash. Katalanasit mposhtën 0-3 Ferencvaros në Hungari, me të tre golat që u realizuan në pjesën e parë. Antoine Griezmann zhbllokoi sfidën me një gol shumë të bukur me finte, teksa rrugën e rrjetës e gjetën edhe sulmuesit Braithwaite dhe Dembele.

Myrto Uzuni e nisi si titullar dhe luajti për 71 minuta. Tre gola shënoi edhe Juventusi në Torino kundër Dynamo Kyiv. Federico Chiesa gjeti golin e parë si bardhezi pas një gafe të portierit mik, teksa në pjesën e dytë shënuan edhe Cristiano Ronaldo me Alvaro Moratën.

Golat dhe rastet e SEVILLA-CHELSEA

Sevilla dhe Chelsea e kishin siguruar kualifikimin më tej dhe sot u ndeshën në Andaluzi për vendin e parë në grupin E. “Blutë e Londrës” dominuan takimin, fituan 0-4 dhe siguruan vendin e parë. Në “Signal Iduna Park” u përballën Dortmund dhe Lazio, takim që përfundoi në barazim 1-1.

 

Rezultatet e ndeshjeve të ditës së sotme

Portugezi Guerreiro kaloi verdhezinjtë në avantazh në pjesën e parë, teksa italianët reaguan në fraksionin e dytë të sfidës. Lazio fitoi një penallti dhe Ciro Immobile e ktheu atë në gol.

Ky barazim kualifikon Dortmund, teksa bardhekaltërve i duhet një pikë në takimin e fundit shtëpiak ndaj Club Brugge (fitoi 3-0 në shtëpi ndaj Zenit), për të siguruar kualifikimin në 16 ekipet më të rëndësishme të Champions League. /abcnews.al