VIDEO/ Prenga goleador në Letoni: Zero emocione, isha i bindur që do shënoja

schedule09:34 - 28 Shtator, 2020

schedule 09:34 - 28 Shtator, 2020

Herdi Prenga shënoi një gol shumë të rëndësishëm për Rigën ditën e djeshme. Mbrojtësi mirditor, i cili numëron dy ndeshje me kombëtaren kuqezi, realizoi golin e fitores 1-2 në fushën e Spartaks.

Qendërmbrojtësi fitoi një penallti në minutën e gjashtë shtesë dhe ekzekutimin e mori përsipër vetë. Topi në rrjetë, tre pikë për Rigën kryesuese dhe sërish +6 pikë nga RFS e vendit të dytë.

Një sukses në momentin e duhur pas eliminimit nga Europa League ditën e enjte (Riga u mposht 0-1 ndaj Celtic). Prenga foli pas takimit në kampionat për kanalin zyrtar të klubit letonez, ku ndër të tjera tha:

Ishte një ndeshje shumë e komplikuar, përgëzime ekipit dhe stafit teknik, pasi nuk ishte e thjeshtë të luanim pas takimit me Celtic, aty ku dhuruam shumë emocione dhe shpenzuam energji të madhe.

Treguam karakter, nuk luajtëm shumë mirë, por kemi kualitete në ekip dhe e fituam takimin. Krijojmë shumë raste, por, të jem i sinqertë, as fati nuk ka qenë me ne. Goli im? Kisha dalë në sulm, pasi ishin sekondat e fundit.

E prisja atë top të gjatë, ia dola të fitoj penalltinë dhe më pas e patë vetë çfarë ndodhi. Nuk kisha emocione para goditjes. Isha plot besim, mora topin dhe shënova gol“, deklaron 26-vjeçari Prenga. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!