VIDEO/ Portugalisë nuk i mjafton Diogo Jota, Lukaku shpëton Belgjikën

schedule22:39 - 27 Mars, 2021

schedule 22:39 - 27 Mars, 2021

Tre barazime dhe një surprizë në katër ndeshjet e mbrëmjes së sotme të kombëtareve, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit Katar 2022. Serbi-Portugali përfundoi në barazim 2-2. Luzitanët e mbyllën pjesën e parë në avantazh të dyfishtë falë dy golave me kokë të Diogo Jota.

Vendasit reaguan në fraksionin e dytë të takimit, Aleksandar Mitrovic dhe Filip Kostic ndëshkuan skuadrën udhëtuese dhe i dhuruan një pikë me vlera Serbisë. Cristiano Ronaldo gjeti golin e fitores në shtesa. Topi kaloi vijën fatale, por mungesa e teknologjisë së golit ndikoi që Portugalia të mos fitonte.

Pa fitues edhe dueli Çeki-Belgjikë. Përballja e luajtur në Pragë u mbyll në barazim 1-1. Të dy golat e realizuan në pjesën e dytë. Lukas Provod kaloi në avantazh vendasit në minutën e 50-të, por “Djajtë e Kuq” reaguan dhe dhjetë minuta më vonë rikthyen baraspeshën falë një goli shumë të bukur të Romelu Lukakut.

Sllovakia nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në shtëpi kundër Maltës. Miqtë udhëhoqën 0-2 në pjesën e parë, por golat e David Strelec dhe Milan Skriniar i dhuruan një pikë kombëtares sllovake me golat e shënuar në 45 minutat e dytë.

Irlanda u befasua në fushën e vet nga Luksemburgu, që triumfoi 0-1 në Dublin. Goli i fitores u shënua nga Gerson Rodrigues, sulmuesi i Dinamos së Kievit, pesë minuta përpara fundit të ndeshjes. Humbja e dytë radhazi për skuadrën ishullore dhe tre pikë fantastike për Luksemburgun. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!