VIDEO/ Polonia na nënshtron, Shqipëria mposhtet me “poker” në Varshavë

schedule22:37 - 2 Shtator, 2021

schedule 22:37 - 2 Shtator, 2021

Shqipëria u përpoq jo pak, por në fund iu fal cilësisë së Lewandowskit me shokë, duke u  mundur me shifrat 4-1 në Varshavë, pas një ndeshje me disa fytyra për tanët.

Ndeshja nisi keq për Shqipërinë. Amir Abrazhi, Elseid Hysaj dhe Keidi Bare u ndëshkuan me kartonë të verdhë, teksa dy të fundit do mungojnë në ndeshjen e ardhshme pas tre ditësh në Elbasan me Hungarinë.

Polonia përfitoi nga turbullira e kuqezinjve dhe shënoi në minutën e 12 me Robert Lewandowskin, që iu vodh mirë mbrojtjes sonë në zhvillimet e një goditje dënimi, pas faullit të shkaktuar nga Hysaj.

Gjithsesi, djemtë tanë nuk u dorëzuan dhe shënuan me Sokol Cikalleshin në minutën e 25-të. Kavajasi mori shumë mirë një top të gjatë të Gjasulës dhe fitoi duelin me Glik dhe portierin, duke tundur rrjetën.

Pas këtij goli, Shqipëria kishte edhe disa raste të tjera për të shënuar, por nuk i shfrytëzoi. Ligji i futbollit na dënoi dhe Polonia rigjeti avantazhin me Adam Buksa, pas një goditje këndi.

Kaq mjaftoi për të dorëzuar Shqipërinë dhe Polonia shënoi edhe dy gola në pjesën e dytë me Krychowiak dhe Linety, duke marrë tre pikë të rëndësishme.

Vlen për t’u veçuar një episod në minutën e 65-të kur Manaj kërkoi penallti, por gjyqtari nuk e pa as në VAR rastin e dyshimtë. Pas kësaj humbje qëndrojmë në kuotën e 6 pikëve. /abcnews.al