Milani nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 kundër Leçes në San Siro, duke marrë vetëm një pikë nga ky takim. Kjo ishte ndeshja e parë e Stefano Piolit në krye të “Djallit” dhe tekniku italian nuk arriti të debutojë me fitore. Ishte Calhanoglu që shënoi golin e parë të kësaj sfide, në minutën e 20-të. Fantazisti turk shënon një gol shumë të bukur nga një kënd i vështirë, duke goditur fluturimthi me të djathtën. Ky gol, i çoi skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-0.
Në pjesën e dytë, ekipi i Leçes shtyu më shumë në repartin sulmues, madje arritën dhe të barazonin. Conti prek topin me dorë brenda zonës dhe penallti për miqtë në minutën e 62-të. Sulmuesi Babacar merr përsipër ekzekutimin e këtij 11-metërshi dhe në dy tentativa, mposht Donnarummën.
Pioli ndërhyn në formacion dhe nuk pajtohet me këtë barazim, duke aktivizuar sulmuesin polak, Kryzstof Piatek. Ishte pikërisht bomberi kuqezi ai që gjeti rrjetën, në minutën e 81-të. Megjithatë, Leçe nuk do të dorëzohej dhe me anë të një supergoli nga Calderoni, vendosi rezultatin final të sfidës në 2-2./abcnews.al
Serie A, java 8
Milan – Leçe 2-2
Calhanoglu 20′, Piatek 81′ / Babacar 64′, Calderoni 90+4′