VIDEO / Përmbysje e pabesueshme, Denver Nuggets në finale duke bërë histori

schedule13:54 - 16 Shtator, 2020

schedule 13:54 - 16 Shtator, 2020

Një kualifikim historik ndodhi në basketbollin amerikan. Denver Nuggets eliminoi Los Angeles Clippers, edhe pse u ndodh në disavantazh 1-3 me lojë. Skuadra nga Kolorado do të luajë tani përballë LA Lakers të LeBron James.

Në raundin e parë ishte duke u eliminuar nga Utah Jazz, por edhe pse ishte në humbje 1-3 me lojë, ia doli ta përmbyste e të kualifikohej.  Denver Nuggets  e përsëriti këtë gjë edhe ndaj Los Angeles Clippers në gjysmëfinale të Konferencës Perëndimore dhe u kualifikua për herë të parë që nga viti 2009.

Nën udhëheqjen e dyshes Nikola Jokic- Jamal Murray, triumfoi në ndeshjen e shtatë dhe vendimtare me shifrat 104-89, madje duke u ndodhur sërish në disavantazh me dy shifra. Clippers ishin në epërsi 3-1 me fitore, por Denver Nuggets nuk u dorëzua, duke u bërë e para skuadër në historinë e NBA-së që përmbys dy deficite 1-3 në të njëjtën fazë “play off”.

Në të gjithë historinë e sportit amerikan, më herët këtë e kishin arritur vetëm Kansas City Royals në vitin 1985 në ligën e bejsbollit, si dhe Minesotta Wild në 2003 në ligën e hokejit në akull. Jamal Murray shënoi 40 pikë, ndërsa Nikola Jokiç pati një triple double të veçantë, me 16 pikë, 22 topa në tabela e 13 asiste.

Kontributi i tij ishte i madh, edhe pse ai gaboi shpesh në gjuajtje, por asistet e tij ndihmuan shumë Jamal.  “Trajner, do të kesh një dhuratë për ditëlindje, – i kishte thënë serbi teknikut Michael Malone para ndeshjes, – ose do të kthehesh në shtëpi, ose do të kualifikohesh”.

Ndodhi e dyta dhe Malone e festoi ditëlindjen në mënyrën më të mirë. Denveri do të ndeshet në finalen e Perëndimit me Lakers të LeBron James, që do të jenë favorite, por të tillë ishin edhe Clippers. Gjithsesi Jokic me shokët e tij nuk pyetën për parashikimet dhe shkuan në finale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!