VIDEO | Pa trajner, pa ide! Arsenali në rënie të lirë, nuk fiton prej dy muajsh

schedule23:08 - 5 Dhjetor, 2019

schedule 23:08 - 5 Dhjetor, 2019

Shkarkimi i Unai Emery dhe ndryshimi në stol nuk po sjellin asnjë efekt pozitiv tek Arsenali. Freddie Ljungberg debutoi me barazim në ndeshjen e parë, teksa sot u befasua në shtëpi nga Brighton. 1-2 fituan miqtë, të cilët vinin nga 3 humbje rresht.

Mbrojtësi Webster zhbllokoi shifrat 9 minuta përpara fundit të pjesës së parë. Përgjumje e mbrojtjes së Arsenalit dhe Brighton kaloi në avantazh. Pjesa e dytë nisi mirë për vendasit dhe barazimi nuk vonoi. Francezi Lacazette përfitoi nga një goditje këndi dhe dërgoi topin në rrjetë. U krijua iluzioni se do të ndodhte përmbysja, por Brighton gjeti një tjetër gol me anë të Maupay.

Sulmues francez devijoi bukur me kokë dhe i dhuroi fitoren e rëndësishme ekipit të tij. Krizë totale tek Arsenali. Ekipi londinez renditet në vend të dhjetë, nuk fiton në kampionat prej shtatë ndeshjesh, teksa suksesin e fundit e ka arritur kundër Bouremouth me 6 tetor. Ndeshja tjetër e mbrëmjes midis Sheffield United dhe Newcastle u mbyll me fitoren 0-2 të miqve. /abcnews.al

Arsenal – Brighton 1-2
(Lacazette 50′ / Webster 36′, Maupay 80′)