VIDEO/ Nuk ka festë deri të hënën, Kombëtarja nis përgatitjet për sfidën ndaj Ishujve Faroe

schedule15:16 - 18 Nëntor, 2023

schedule 15:16 - 18 Nëntor, 2023

Mbrëmjen e së premtes që sapo lamë pas, “legjionarët” e Kombëtares sonë arritën të shkruajnë sërish historinë, kësaj radhe në “Zimbru Stadium” të Moldavisë, ku barazimi, 1 me 1, ndaj këtyre të fundit u mjaftoi “shqiponjave” për të siguruar një vend në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm nga 14 qershori deri në 14 korrik, në Gjermani.

Mirëpo, pavarësisht se kemi arritur kualifikimin, “kuqezinjtë” kanë treguar profesionalizëm të vërtetë, teksa kanë nisur menjëherë përgatitjen për ndeshjen e fundit të fazës kualifikuese, atë të mbrëmjes së 20 nëntorit, në “Air Albania”, ndaj Ishujve Faroe, përballje e cila do të mbyllet me festën e të gjithë futbolldashëve shqiptarë, pas kësaj arritjeje historike.

Gjatë paradites së sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ishin të pranishëm të gjithë lojtarët, me futbollistët e aktivizuar si titullarë në sfidën ndaj Moldavisë u stërvitën vetëm në palestër. Ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve pas punës në palestër, dolën në fushë dhe u stërvitën rregullisht nën urdhrat e trajnerit Sylvinho.

Ndërkaq, kujtojmë se skuadra do të kryejë përgatitje e fundit, në kuadër të kësaj përballjeje, të dielën, ku përveç stërvitjes, siç e do zakoni, do të zhvillohet edhe konferenca për shtyp në kuadër të sfidës, ku të pranishëm do të jenë, si zakonisht, tekniku Sylvinho dhe kapiteni i “legjionarëve”, Berat Gjimshiti. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI PAMJET: 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!