VIDEO/ Nisi fitoren e “galaktikëve”, Nico Paz: Është një ëndërr, jam çmendur nga gëzimi

schedule13:56 - 30 Nëntor, 2023

schedule 13:56 - 30 Nëntor, 2023

Jo më kot quhen “mbretërit” e Champions League. “Galaktikët” e Real Madrid arritën një fitore të madhe, mbrëmjen e së mërkurës, teksa në “Santiago Bernabeu” mundën “blutë” e Napoli, me rezultatin e thellë, 4 me 2, duke “blinduar” kështu vendin e parë, në grupin C, në kompeticionin më të rëndësishëm për klube në Evropë.

Një nga protagonistët absolut të kësaj përballjeje ishte edhe talenti i mesfushës, Nico Paz, me 19-vjeçarin, që lëshoi një goditje potente jashtë zone në minutën e 84’-t, për t’i dhënë avantazhin, 3 me 2, skuadrës së tij, në një përballje tejet të luftuar nga të dyja skuadrat.

Në një prononcim të shkurtër, për mediat, në përfundimin e ndeshjes, Paz u shpreh se shënimi i një goli, në Champions League, ishte një “ëndërr” e bërë realitet për të, teksa shtoi se Akademia e Real Madrid, prodhim i së cilës është edhe 19-vjeçari, është një nga më të mirat në botë.

“Është një ëndërr. Unë as nuk e dija se çfarë po bëja në atë moment kur shënova golin, thjesht godita fort dhe topi shkoi në rrjetë. Jam çmendur nga gëzimi. Akademia e Real Madrid është një nga më të mirat në botë, në mos më e mira. Jam shumë krenar që jam pjesë e këtij klubi”,- u shpreh talenti i mesfushës. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLIN: