VIDEO/ Ndeshje “e lajthitur” në Kopenhagen, Spanja mposht Kroacinë dhe kap çerekfinalet

schedule20:34 - 28 Qershor, 2021

schedule 20:34 - 28 Qershor, 2021

Pas një ndeshje tërësisht të çmendur dhe pas 120 minutash, Spanja ka mundur të fitojë me shifrat 3-5 ndaj Kroacisë dhe është kualifikuar në çerekfinale të Euro 2020, teksa pas pak orësh mëson kundërshtarin, që do jetë një mes Francës dhe Zvicrës.

Ishte një ndeshje, që i kishte të gjitha dhe mund ta themi pa asnjë mëdyshje se ishte beteja më e bukur e këtij Europiani. Kishte autogola, gafa të paharrueshme, përmbysje e gjithçka tjetër.

Spanjollët e nisën mirë dhe u futën shpejt në rrjedhën e lojës së tyre me shumë pasime dhe sulme të organizuara. Kroacia u mbyll e gjitha pas, por shënoi gol, madje pa u lodhur fare. Pedri dha një pasim të thjeshtë te Unai Simon. Portieri çuditërisht nuk e kontrolloi dhe i dhuroi golin Kroacisë në minutën e 20.

Pas kësaj rrjete Spanja u shokua dhe nuk mundi të marrë frenat e lojës. Kroacia rrezikoi portën e iberikëve, por nuk mundi të shfrytëzoi përgjumjen e kundërshtarëve. Dalëngadalë Spanja u rikthye dhe nisi të duket në portën e Kroacisë. Në minutën e 38 erdhi edhe goli i barazimit.

Ishte Pablo Sarabia, i cili tundi rrjetën në minutën e 38, pasi portieri Livakovic ktheu sferën pas një tjetër gjuajtje të djemve të Enrique. Pas golit Spanja vijoi me presionin dhe u shpërblye. Në minutën e 57 ishte Ferran Torres, që dha një krosim perfekt në zonë dhe Azpiliqueta tundi rrjetën me kokë.

Në minutën e 77, kur Kroacia ishte hedhur në sulm, vjen goli i tretë i Spanjës. Këtë herë ishte radha e Kroacisë për dhurata. Ballkanasit nuk shfrytëzojnë mirë një faull dhe topi shkon në kontrollin e Ferran Torres. Sulmuesi i Manchester Cityt gjen rrugë të pastër, driblon një mbrojtës dhe tund rrjetën.

Pas golit të 1-3 Kroacia vazhdoi sulmet dhe shpërblehet sepse në minutën e 85-të Orsic gjeti golin pas kaosit në zonë dhe ndihmës së Goal Line Tenchnology.

Në minutën e tretë të shtesës do vinte një goditje e rëndë për Spanjën. Do ishte sërish Mislav Orsic protagonist, duke dhënë një krosim shumë të bukur për Mario Pasalic, që tundi rrjetën me kokë dhe barazoi 3-3, duke sigluar një ndeshje të çmendur.

Në dy minutat e mbetura shtesë nuk kishte gol she arbitri Cakir sinjalizoi fundin e kohës së rregullt dhe kalimin në shtesën 30 minutëshe. Nisën shtesat dhe në minutën e 95 Unai Simon u kthye në “engjëll” dhe priti një goditje të Kramaric pak metra nga porta.

Edhe pse Koha nuk premtonte, Spanja vazhdoi me qetësinë e saj.Shumë pasime për të “trullosur” Kroacinë dhe formula rezultoi e duhura. Morata, njeriu më i kritikuar deri më tani shënoi një gol, që me siguri i gëzoi, por edhe ua mbylli gojën të gjithëve.

Ylli i Juventusit në minutën e 99-të tundi rrjetën pas një goditje të fortë dhe çoi shifrat në 3-4. Kroacia nuk kishte ç’bënte dhe u hodh e gjitha në sulm, por la hapësira pas, që u shfrytëzuan nga Spanja, që shënoi me Oyarzabal për 3-5. Kroacia dukej e lodhur dhe e pafuqishme për t’u kthyer edhe një herë.

Edhe në pjesën e dytë Spanja vijoi të luajë fort dhe të rrezikojë. Morata gaboi në dy raste, por e rëndësishme është se Kroacia qëndroi larg portës së Unai Simon dhe Spanja e arriti fitoren, pas kësaj ndeshje, që vetëm normale nuk ishte. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!