VIDEO/ Napoli triumfon kundër Sassuolo, Hysaj entuziazmon presidentin Meta

schedule23:45 - 25 Korrik, 2020

schedule 23:45 - 25 Korrik, 2020

“Ka shënuar Hysaj, e lëmë lojën”. Nëse do të ndodhte në stërvitje, me siguri trajneri Gennaro Gattuso do i kishte çuar të gjithë në dhomat e zhveshjes. Elseid Hysaj nuk është nga ata mbrojtësit anësorë që shënon dhe mjafton të shohësh statistikat e tij. Gjithsesi ka edhe më keq se ai.

179 ndeshje duke pritur dhe goli i tij i parë në Serie A ka vlerën e tre pikëve, pasi Napoli mposhti me rezultatin e pastër 2-0 skuadrën e Sassuolo. Një ndeshje e sikletshme, ku VAR tre herë vendosi që skuadra e mbrojtësit shkodran ta ruante epërsinë.

Djuricic e gjeti rrugën e rrjetës pak para fundit të pjesës së parë, por Traore kishte qenë në pozicion jashtë loje. Milimetrik, ashtu sikurse dy herë Caputo në pjesën e dytë. Fillimisht sulmuesi shënoi vetë, ndërsa më pas asistoi për Berardin. VAR ndihmoi gjyqtarin e ndeshjes dhe Sassuolo duhet të provonte sërish të shënonte.

Napoli e la kundërshtarin të mbante topin dhe ishte më i rrezikshëm në dalje, por iu deshën minutat shtesë ta shënonte golin e qetësisë. Allan shënoi në portën e Sassuolo dhe Hysaj&Co. mund të festonin marrjen e tre pikëve, falë triumfit të pastër 2-0.

PRESIDENTI META – Goli i Elseid Hysaj ka tërhequr vëmendjen e presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili ka bërë edhe një postim në faqen e tij zyrtare.  “Ju përshëndes dhe ju uroj të gjithëve një natë të qetë, me këtë gol të jashtëzakonshëm të shënuar mbrëmjen e sotme nga një prej yjeve të Kombëtares sonë, Elseid Hysaj”, shkruan Meta, ndërkohë që nuk mungon as video e golit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!