Milani rikthehet te fitorja në kampionat. Kuqezinjtë reaguan pas dy barazimeve 2-2 dhe sot fituan 1-2 në transfertë kundër Sassuolos. Një triumf i rëndësishëm i ekipit të Stefano Piolit, që vazhdon të kryesojë Serie A.
Miqtë e nisën në mënyrë fantastike takimin. Aksioni i parë, sekonda e shtatë dhe topi në rrjetë. Calhanoglu dhuroi një asist fantastik për sulmuesin portugez, i cili nuk gaboi përpara portës kundërshtare.
Milani shënoi sërish tetë minuta më vonë me anë të Calhanoglu, por teknologjia VAR anuloi golin. Djemtë e Piolit vazhduan të luanin mirë dhe gjetën sërish rrjetën në minutën e 26-të. Kundërsulm perfekt dhe finalizim i Alexis Saelemaekers.
Kaq për pjesën e parë, teksa fraksioni i dytë i sfidës prodhoi vetëm një gol. Berardi ndëshoi kuqezinjtë një minutë përpara fundit, por kohë nuk kishte shumë në dispozicion. Milani menaxhoi avantazhin dhe siguroi tre pikë fantastike.
Feston edhe Interi në “San Siro” përballë Spezias, që fitoi me të njëjtin rezultat si kushërinjtë. Zikaltrit iu falën dy golave në pjesën e dytë dhe vazhdojnë të renditën të dytët, me një pikë më pak se Milani.
https://streamable.com/qkuk52
Ardijan Ismajli e nisi si titullar për herë të parë për ekipin mik dhe Spezia ia doli të rezistojë në 45 minutat e para. Vendasit u karikuan në pushim dhe në minutën e 51-të zhbllokuan takimin me një diagonale të saktë të Achraf Hakimit.
Goli i qetësisë erdhi 20 minuta më vonë. Penallti për Interin dhe Romelu Lukaku dërgoi topin në rrjetë. Në minutat shtesë erdhi edhe goli i Spezias. Roberto Piccoli autori i golit.
Në sfidat e tjera ra në sy fitorja 2-0 e Beneventos së Pippo Inzaghit në shtëpi ndaj Genoas. Roberto Insigne dhe Marco Sau shënuan në pjesën e dytë golat e fitores për “Shtrigat”. Pa fitues u mbyll Cagliari-Udinese në ishull.
1-1 përfundoi ndeshja. Greku Lykogiannis kaloi sardët në avantazh në pjesën e parë, por Kevin Lasagna barazoi shifrat në të dytën. I njëjti rezultat edhe në takimin e orës 12:30 mes Torinos dhe Bolognas, aty ku shënuan Belotti për vendasit dhe Robert Soriano për udhëtuesit. /abcnews.al