Milani nuk ndalet as në “Luigi Ferraris”, mposhti 1-2 Sampdorian, arriti fitoren e tetë në dhjetë javë kampionat dhe kryeson Serie A me 26 pikë, pesë më shumë se Interi ndjekës.
Edhe pse pa Ibrahimovic dhe Kjaer, kuqezinjtë konfirmojnë formën fantastike, shfaqen solidë, realizojnë nga një gol për pjesë dhe i dhurojnë fitoren e radhës tifozëve të shumtë.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e fundit të pjesës së parë. Çeku Jankto preku topin me dorë në një dyluftim me Theo Hernandez dhe penallti për skuadrën mike.
Franck Kessie nuk gaboi nga pika e bardhë dhe djemtë e Stefano Piolit në avantazh. Goli i dytë erdhi në minutën e 77-të. Norvegjezi Hauge veproi bukur në krahun e majtë dhe nisi Rebic në zonë.
Asist i kroatit dhe finalizim i Samu Castillejo, me spanjollin që ishte futur në fushë pak sekonda më parë. Sampdoria reagoi dhe rihapi ndeshjen pesë minuta më vonë. Ekdal kërceu bukur me kokë pas një goditje këndi dhe mposhti Donnarummën.
Minutat e fundit u bënë emocionuese, por Milani ia doli të ruante avantazhin dhe siguroi tre pikë tepër të rëndësishme për ecurinë në kampionat.
Kjo ishte fitorja e shtatë radhazi jashtë fushe në Serie A për “Djallin”, duke llogaritur edhe ndeshjet e sezonit të kaluar. /abcnews.al
Serie A, java e dhjetë
Sampdoria-Milan 1-2
(Ekdal 82′ / Kessie (pen) 45, Castillejo 77′)