VIDEO/ Milani triumfon falë golave të bukur, Napoli ngec në Bologna

schedule21:29 - 15 Korrik, 2020

schedule 21:29 - 15 Korrik, 2020

Milani siguroi rezultatin e tetë pozitiv kundër Parmës, ndeshje që e fitoi 3-1 në “San Siro”. Një tjetër paraqitje pozitive për kuqezinjtë, që kanë barazuar Napolin në vendin e gjashtë.

Miqtë gjetën të parët golin e avantazhit në fundin e pjesës së parë. Slloveni Kurtic finalizoi një aksion të bukur të skuadrës emiliane, por vetëm kaq. Franck Kessie shënoi një eurogol në minutën e 54-t, ndërsa kapiteni Romagnoli kaloi në avatazh Milanin me golin e shënuar me kokë pesë minuta më pas.

Golat e MILAN-PARMA

Në fund pati festë edhe për turkun Calhanoglu, i cili realizoi pas një goditje të saktë dhe të fortë. Kastriot Dermaku e nisi nga stoli këtë ndeshje dhe u hodh në fushë në fillimin e pjesës së dytë nga trajneri D’Aversa.

Napoli regjistroi barazimin e dytë radhazi në Serie A. Ekipi i Gattusos nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në fushën e Bologna, edhe pse kaloi i pari në avantazh me anë të golit të mbrojtësit Manolas me kokë (7′). Elseid Hysaj e zhvilloi të plotë ndeshjen e sotme.

Golat e BOLOGNA-NAPOLI

Vendasit reaguan dhe evituan disfatën. Palacio gjeti golin në mesin e pjesës së dytë, por VAR-i e anuloi. Gjithsesi, teknologjia nuk mund të bënte asgjë në minutën e 80-të, moment kur talenti Barrow dërgoi topin në rrjetë dhe vulosi barazimin e ekipit vendas.

Sampdoria ka treguar se kush është zot shtëpie kundër Cagliari, duke fituar me rezultatin 3-0. Gabiadini, që në minutën e tetë i ndëshkoi miqtë me një gol të shënuar me kokë dhe më pas skenën e mori Bonazzoli. Me një goditje nga distanca ai befasoi portierin mik. Me fillimin e pjesës së dytë ai shënoi sërish dhe “vulosi” triumfin e Sampdorias.

 

Renditje e Serie A

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!