VIDEO/ “Manita” iberike, Kroaci-Spanjë në 1/8! Suedia eliminon Lewandowskin

schedule19:57 - 23 Qershor, 2021

schedule 19:57 - 23 Qershor, 2021

Mbyllen llogaritë në grupit E, aty ku vetëm Suedia kishte siguruar kualifikimin. Spanja heshti kritikët, nuk u përmbajt përballë Sllovakisë në Sevilla, fitoi 5-0, por nuk shkoi më shumë se vendi i dytë.

Alvaro Morata humbi një penallti në minutën e 12-të. Martin Dubrava, “gardiani” i Newcastle, realizoi një pritje të bukur, por e dreqosi pak minuta më pas duke realizuar një autogol qesharak.

Mbrojtësi Laporte dyfishoi me kokë në limitet e pjesës së parë, ndërsa fraksioni i dytë solli edhe golat e Pablo Sarabia dhe Ferran Torres. Autogoli i Kucka vulosi suksesin me “manita” të kombëtares iberike.

Djemtë e Luis Enrique do të kenë përballë Kroacinë në raundin e 1/8-ve të Euro 2020, duel që do të luhet më 28 qershor në Kopenhagen të Danimarkës.

Sfidë spektakolare në Shën Petersburg të Rusisë. Suedia fitoi 3-2 ndaj Polonisë dhe ia doli të mbyllë aventurën në grupe në vend të parë. Polonia jashtë Euro 2020, pasi u rendit në vend të fundit në grupin E.

Emile Forsberg, sulmuesi i Leipzig, kaloi në avantazh të dyfishtë vikingët e Suedisë, por Robert Lewandowski, futbollisti më i mirë i vitit të kaluar, nuk u dorëzua dhe u përgjigj me të njëjtën mënyrë: me një dygolësh.

Mes tyre edhe një gol i anuluar për polakët, të cilët ishin shumë afër përmbysjes së çmendur, por Viktor Claesson tundi rrjetën në minutat shtesë, duke nisur festën suedeze. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!