Romelo Lukaku po paraqitet shumë mirë në sezonin e tij të parë në Serie A. Sulmuesi belg ka arritur të realizojë nëntë herë në kampionatin italian dhe t’i japë pikë të rëndësishme Interit. Për Corriere dello Sport ai ka dhënë një intervistë dhe komenton paraqitjen e bërë prej tij deri në këtë moment të sezonit.
Lukaku veçon edhe golin më të bukur që ka shënuar deri më tani, ndërkohë që është i bindur se ata që arrijnë të shënojnë gola në Serie A, mund ta përballojnë çdo kampionat tjetër. Në fund ai flet edhe për trajnerët më të mirë me të cilët ka punuar.
PARAQITJA DERI MË TANI – “Është një nisje e mirë, po, mund ta them këtë. Gjithçka ka shkuar mirë, por unë dua të paraqitem edhe më mirë, edhe nëse numrat janë të mirë. E di se mund të përmirësohem më shumë. Motivimi im më i madh është të ndihmoj ekipin dhe shokët e skuadrës të fitojnë ndeshjet duke shënuar. Siç kam bërë në tre muajt e parë. E theksoj, që nuk duhet të harroj të punoj dhe të shtyhem për të bërë maksimumin në çdo stërvitje”.
GOLI MË I BUKUR – “Këtu në Itali, goli më i bukur është ai që i shënova Brescias. Më pëlqen gjithashtu edhe goli i dytë me kokë ndaj Milanit në derbi, por ai ndaj Brescias më kujton atë që shënove me Belgjikën në ndeshjen e fundit që fituam në Rusi kundër Anglisë.
SERIE A – “Sa më shumë të luaj, aq më shumë i gjej hapësirat ku mund të jem efektiv. Vëllai im, Jordan, më kishte folur për një kampionat të madh, që i vë në provë sulmuesit. Këtu janë mbrojtësi më të mirë dhe çdo mbrojtje është e përgatitur për çdo situatë të lojës.
Kjo është arsye pse më pëlqen shumë futbolli italian. Shikoj shumë në TV dhe në çdo ndeshje mësoj diçka të re në aspektin taktik. E njëjta gjë edhe nga puna në stërvitje me Conte. Nëse një sulmues shënon shumë gola në Itali, ai mund t’i realizojë ato në çdo kampionat tjetër.
TRAJNERI MË I MIRË – “Conte është unik. Ai e di çfarë të bëjë në çdo situatë. Ai dhe Jose Mourinho janë dy trajnerët më të mirë në karrierën time”, është shprehur Lukaku. /abcnews.al