VIDEO/ Lillard në ditë “jo”, talenti Williamson thyen i vetëm Blazers

schedule13:24 - 12 Shkurt, 2020

schedule 13:24 - 12 Shkurt, 2020

Zion Williamson fitoi duelin me Damian Lillard në basketbollin amerikan, duke i dhënë fitoren New Orleans Pelicans. Ylli 19-vjeçar shënoi 31 pikë në vetëm 28 minuta.

Nuk është një nga basketbollistët më shtatlartë të kampionatit, por kjo shpesh nuk ka rëndësi.  Mos vallë ishin të tillë Michael Jordan, Kobe Bryant, apo mos është i tillë LeBron James?  E pra, me trupin 1.98 metra, Zion Williamson sërish është i pamundur për t’u përballuar në NBA, edhe pse ka moshën vetëm 19-vjeçare.

Pas Luka Doncic, ja një tjetër fenomen, “prodhim vendas”, i shtohet ligës më të fortë të botës. Ylli i ri i New Orleans Pelicans shkëlqeu ndaj Portland Trail Blazers, duke fituar sfidën direkte ndaj yllit mik, Damian Lillard.

Williamson shënoi 31 pikë në më pak se 28 minuta lojë, si dhe pati 9 topa në tabela e 5 asiste.  Ja pra, që ai e kupton lojën në çdo aspekt.  Lillard këtë herë ishte më pak i frymëzuar, duke shënuar 20 pikë, kapur 5 topa në tabela e shërbyer 5 asiste.

New Orleans Pelicans fitoi thellë 138-117, ndërsa Williamson iu deshën vetëm 9 ndeshje në NBA (me minutazh jo të plotë) që të kalonte barrierën e 30 pikëve të shënuara. Ai ishte shumë i fuqishëm dhe shumë i shpejtë, teksa asnjë mbrojtës i Portland nuk arriti ta ndalonte.

Nju Orleans shpreson të kapërcejë problemet pas largimit të Anthony Davis tek Lakers, dhe pse jo, të kualifikohet për në “play off” që këtë sezon. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!