Një 24-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi lëvizte me armë zjarri. I riu u arrestua pas operacioneve dhe kontrolleve të befasishme nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja, për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me lëndë narkotike, armë zjarri dhe sende të kundërligjshme.
Në rrugën “Xhanfize Keko”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “BMW” që drejtonte ky shtetas, dhe kanë gjetur një çantë supi ku 24-vjeçari mbante një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrolleve të befasishme, janë verifikuar dhe kontrolluar dhjetëra shtetas dhe automjete. Kontrollet do të vijojnë në të gjithë qarkun.
Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.