VIDEO | Leonard merr për dore LA Clippers, vendos edhe një rekord

schedule11:17 - 15 Janar, 2020

schedule 11:17 - 15 Janar, 2020

Kawhi Leonard vendosi një rekord të ri në karrierën e tij, ndërsa ndihmoi Los Angeles Clippers të fitonin ndaj Cleveland Cavaliers në basketbollin amerikan. Leonard shënoi plot 43 pikë.

Është që tani dy herë kampion, vetëm një herë më pak se LeBron James, por padyshim që kërkon më shumë. Kawhi Leonard, edhe pse jo i vlerësuar për të qenë më i miri yll i epokës, sërish nuk heq dorë dhe vendosi një rekord në ndeshjet e fundit në NBA.

Shënoi 43 pikë në vetëm 28 minuta, duke u bërë i pari lojtar në historinë e Los Angeles Clippers që arrin të realizojë më shumë se 40 pikë në më pak se 30 minuta. Jo vetëm kaq, pasi sipas statistikave në Shtetet e Bashkuara, Leonard u bë i treti lojtar për të gjitha kohët, që shënon të paktën 43 pikë në më pak se 29 minuta.

E gjitha kjo flet vetë për talentin dhe përgatitjen e basketbollistit nga Kalifornia. Clippers, falë tij e shpartalluan pa shumë problem Cleveland Cavaliers me rezultatin 128-103. Leonard nuk është se u lodh shumë me kontribut tjetër, duke kapur vetëm 3 topa në tabela e duke dhënë 4 asiste.

Gjithsesi kjo ishte normale, përderisa ai luajti pak. Shpesh Clippers e kanë kursyer yllin e tyre, për ta pasur në formë sa më të mirë për gjysmën e dytë të sezonit, sidomos për fazën “play off”, pasi synimi i vetëm i klubit është titulli në NBA.

Leonard u shpall fillimisht kampion me San Antonio Spurs, duke shkëlqyer në një ekip me yje si Tim Dankan apo Tony Parker. Po ashtu ai triumfoi vjet, kur në udhëheqje të Toronto Raptors shkaktoi të papriturën e madhe, duke mundur Golden State Warriors në finale.

Edhe pse, Clippers janë vetëm në vendin e katërt në Perëndim, me 6 humbje më shumë sesa Lakers-at e LeBron James, ata e dinë se me Leonardin mund të arrijnë gjithçka. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!