Sebastian Coltescu mbrëmë ka përjetuar një nga momentet më të sikletshme në jetën e tij. Mjaftoi një “negrito” që ai tha në një moment protestash në sfidën PSG-Basaksehir, dhe arbitri rumun që ishte i katërti në atë ndeshje e pa veten ngushtë.
Anglishten nuk e kuptonte dhe tani po vuan pasojat e asaj fjale, që çoi në ndërprerjen e ndeshjes së Champions League. Revolta kundër Coltescu ka qenë e madhe, sidomos në rrjetet sociale.
Në lojë janë futur edhe hakerat, që kanë vendosur t’i marrin kontrollin e llogarisë së tij në “Instagram”. Hakerat turk nuk janë mjaftuar me kaq, pasi i kanë vënë si foto profili pikërisht imazhin e Pierre Webo, i cili ishte edhe ai të cilin arbitri rumun e quajti “negrito”.
ÇFARË NDODHI – Ndeshja mes PSG dhe Basaksehir u ndërpre dje dhe do të nisë sot prej orës 18:55. Shkak u bë një shprehje raciste e përdorur nga arbitri i katërt i ndeshjes, Sebastian Coltescu. Gjithçka nisi me protestat e stafit të skuadrës turke kundrejt një vendimi të gjyqtarit.
https://twitter.com/i/status/1336406409014091782
Ata u çuan të gjithë dhe ishin gati të hynin në fushë. Gjatë kohës që gjyqtari i katërt rumun po mundohej të qetësonte situatën, ai u shpreh: “Largoje atë të ziun”, ku e kishte fjalën për asistent-trajnerin e Basaksehir, Pierre Webo.
Lojtarët e Basakshir e dëgjuan atë që Coltescu tha dhe u nisën menjëherë drejt tij. Kamerat e stadiumit fokusuan Demba Ba, i cili i kërkon llogari arbitrit: “Ti kurrë nuk the ‘ky djalë i bardhë’, por ‘ky djalë’. Pse kur doni të flisni për një djalë të zi ju duhet të thoni ‘ky djalë i zi’?”.
https://twitter.com/i/status/1336407110645657609
Më pas lojtarët dhe stafi i Basaksehir nuk kanë pranuar të rifuten në lojë dhe protestën e tyre e ka mbështetur edhe klubi i PSG. Të dy skuadrat iu drejtuan dhomave të zhveshjes, ndërkohë që pas ndeshjes edhe Kylian Mbappe bëri një postim, teksa shkruante: “Thuaji jo racizmit. Webo, ne jemi me ty”.
Basaksehir nuk pranoi propozimin e UEFA-s, që Sebastian Coltecsu të zëvendësohej nga përgjegjësi i VAR. Në këto kushte dhe duke parë që të dyja skuadra u bënë bashkë, u vendos që ndeshja të shtyhej për sot dhe arbitrat janë ndryshuar të gjithë. /abcnews.al