VIDEO/ Kualifikohet Interi, Lukaku-Barella e dërgojnë në gjysmëfinale

schedule22:57 - 10 Gusht, 2020

schedule 22:57 - 10 Gusht, 2020

Interi është ekipi i parë që siguron kualifikimin në gjysmëfinalet e Europa League. Zikaltrit e Antonio Contes mposhtën 2-1 Bayer Leverkusen në Merkur Spiel-Arena të Duisburgut dhe do i duhet të kalojë fituesin e çiftit Basel-Shakhtar Donetsk për të mbërritur në finalen e madhe.

Europa League, raundi çerekfinale
Inter-Bayer Leverkusen 2-1
(Barella 15′, Lukaku 21′ / Havertz 24′)

Të tre golat u shënuan në pjesën e parë, madje brenda 9 minutave. Nicolo Barella zhbllokoi sfidën pas çerek ore loje. Mesfushori italian goditi bukur me të jashtmen, duke mposhtur portierin e ekipit gjerman. Në minutën e 21-të ishte momenti të festonte Romelu Lukaku.

27-vjeçari konfirmoi sërish se është një sulmues fantastik, duke gjetur golin në ndeshjen e nëntë radhazi në këtë kompeticion, diçka që s’e ka realizuar askush më parë. “Aspirinat” reaguan dhe shkurtuan rezultatin tre minuta më vonë.

Talenti i Leverkusen, Kai Havertz u tregua i saktë brenda zonës së ekipit italian dhe rihapi ndeshjen. Vetëm kaq, pasi, pavarësisht se skuadrat krijuan disa raste në vazhdim, gola nuk pati më. Interi pati pretendime për dy penallti, por arbitri kryesor vendosi të mos i akordonte pasi pa pamjet në VAR. /abcnews.al