Shumë duele të forta, pak raste për gol dhe asnjë fitues në klasiken e futbollit anglez. Liverpool dhe Manchester United matën forcat mes tyre në “Anfield”, sfidë që u mbyll në barazim 0-0.
Pjesa e parë dhuroi vetëm një rast të rrezikshëm. Bruno Fernandes ekzekutoi bukur një goditje dënimi, por topi kaloi ngjitur me shtyllën. Liverpool pati një shans fantastik në sekondat e fundit.
Xherdan Shaqiri, i cili u rikthye pas një kohe të gjatë si titullar, nisi bukur Sadio Mane, por arbitri kryesor vërshëlleu për mbylljen e fraksionit të parë, duke ndërprerë aksionin.
“The Reds” vijuan të mbanin topin më shumë se kundërshtari në pjesën e dytë, teksa United ishte i rrezikshëm në të paktën dy raste, aty ku portieri Alisson tregoi aftësitë e tij më të mira. Përfundimisht 0-0, të dy skuadrat ndanë nga një pikë.
“Djajtë e Kuq” vijojnë të kryesojnë Premier League me 37 pikë, ndërsa djemtë e Klopp renditën të tretët (34), tre më pak se United dhe një poshtë Leicester City. /abcnews.al