Pamjet e tmerrshme tregojnë dhjetëra të armatosur me uniformë që pozojnë me armë ushtarake pranë automjeteve të blinduar, me inicialet e kartelit të drogës Jalisco në Meksikë, ndërsa zyrtarët e lartë të vendit kanë filluar një hetim për këtë video.
Në atë që duket të jetë një “shfaqje e pushtetit”, disa dhjetëra burra të maskuar janë dëgjuar duke bërtitur se janë ‘njerëz të Mencho’, një pseudonim i përdorur nga shefi i Jelisco New Generation Cartel, Nemesio Oseguera.
Pothuajse të gjithë personat me uniformë, të veshur me jelekë antiplumb, kanë pushkë dhe disa duket se kanë mitralozë dhe snajpera të kalibrit 50.
Në pamje duket po ashtu një kolone me rreth 20 autoblinda të parkuara në rrugë, shkruan abcnews.al.
Zyrtari i lartë i sigurimit të Meksikës, Alfonso Durazo, shkroi të shtunën se videoja po analizohet për të konfirmuar nëse është autentike dhe kur është bërë.
“Nuk ka asnjë grup kriminal që ka aftësinë të kundërshtojë forcat federale të sigurisë, dhe aq më pak me këtë ngjarje të organizuar“, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Videoja u postua në faqet e mediave sociale të enjten, e cila përkoi me vizitën e Presidentit Andrés Manuel Lopez Obrador në shtetet e Guanajuato, Jalisco dhe Colima, të njohura si “fortesat” e kartelit.
“Ata po dërgojnë një mesazh të qartë … që në thelb sundojnë Meksikën, jo Lopez Obrador“, tha Mike Vigil, një ish shef i operacioneve ndërkombëtare për Administratën e SHBA për Zbatimin e Drogës. /abcnews.al