Juventusi nuk ka marrë një fitore dosido me Genoan dhe të veçantë triumfin e bëjnë golat e realizuar. Paolo Dybala, Cristiano Ronaldo dhe Douglas Costa kanë realizuar tre perla në portën e skuadrës vendase, që nga ana tjetër është përgjigjur me Pinamonti, në një ndeshje që u mbyll me rezultatin 1-3.
Fragmenti i parë i kësaj ndeshjeve, edhe pse kishte raste shënimi, u mbyll me rrjeta të paprekura. Dybala, sikurse ka bërë edhe në ndeshjet e mëparshme të kampionatit pas pandemisë, ka arritur të shënojë një gol mjaft të bukur. Shmangie në zonë dhe goditje e saktë: Juventusi festoi golin e parë pas 50 minutash lojë.
Dybala sa duket i bëri xhelozë shokët e skuadrës dhe menjëherë Cristiano Ronaldo zgjodhi një distancë më të largët për ta mposhtur portierin e Genoa. Portugezi, me një gjuajtje potente i çoi peshë tifozët e Juventusit, që sigurisht e ndiqnin ndeshjen në shtëpitë e tyre.
Spektakli nuk mbaroi aty, pasi këtë herë ishte një brazilian ai që dëshironte të tregonte nga vinte dhe ku jepen shfaqje. Douglas Costa, në hyrje të zonës vendosi të gjente trekëndëshin e portës dhe t’i cconte shifrat në 0-3, sërish me një gol mjaft të bukur.
Golat nuk kishin mbaruar dhe këtë herë ishte radha e skuadrës vendase, që realizoi me anë të Pinamonti. Një gol për statistika, pasi fitorja kishte pronarë dhe Juventusi nuk mund të gabonte. Katër pikë sërish larg Lazios dhe titulli kampion edhe më pranë. /abcnews.al