Barazimi i tretë radhazi në Serie A për Juventusin dhe Milani ka mundësinë t’i shkëputet bardhezinjve me 6 pikë nëse mposht Romën nesër në mbrëmje. Ekipi i Andrea Pirlos ngeci në shtëpi ndaj Hellas Verona, përballje që përfundoi 1-1.
Paulo Dybala u rikthye titullar pas një kohe të gjatë, por argjentinasi ka nevojë për kohë dhe gola në mënyrë që të gjejë formën e tij më të mirë. Të dy skuadrat gjetën rrugën e rrjetës në fraksionin e parë, por golat ishin të parregullt (Morata dhe Colley).
Pjesa e dytë dhuroi më shumë emocione. Sfidën e zhbllokuan miqtë pas një ore lojë. Andrea Favilli autori i golit, i cili mposhti Wojciech Szczesny me një “sallake” potente. Juventusi reagoi dhe gjeti golin e barazimit me anë të Dejan Kulusevskit në minutën e 78-të.
Talenti suedez veproi shumë bukur në krahun e djathtë, lëvizi mirë mes mbrojtjes mike dhe dërgoi topin në rrjetë. Gola nuk pati më, miqtë rezistuan, morën një pikë fantastike në fushën e kampionëve, ndërsa këta të fundit kanë shumë gjëra për të rregulluar. /abcnews.al
Serie A, java e pestë
Juventus-Hellas Verona 1-1
(Kulusevski 78′ / Favilli 60′)