VIDEO/ Juventusi bie në Portugali, Dortmundi “fluturon” me Haaland

schedule22:55 - 17 Shkurt, 2021

schedule 22:55 - 17 Shkurt, 2021

Festojnë Porto dhe Dortmund në Champions League. Ekipi portugez mori një fitore të madhe në shtëpi përballë Juventusit, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në çerekfinale. “Dragonjtë e Oportos” triumfuan 2-1 ndaj kampionëve të Italisë dhe në sfidën e kthimit do të luajnë për dy rezultate. Vetëm 60 sekonda dhe erdhi goli i parë.

Gafë e Bentancur dhe finalizim i iranianit Mehdi Taremi. Ekipi vendas e nisi zjarr edhe pjesën e dytë. Pak sekonda kaluan dhe Moussa Marega mposhti polakun Szczesny. Djemtë e Andrea Pirlos reaguan dhe gjetën golin me anë të Federico Chiesës.

Lojtari i kombëtares italiane, mori një asist nga Rabiot dhe goditi menjëherë drejt portës kundërshtare. Një gol i rëndësishëm për bardhezinjtë, të cilët shpresojnë të përmbysin gjithçka në sfidën e kthimit në Torino (9 mars).

Dortmundi iu fal një super Haaland për të thyer 2-3 jashtë fushe ekipin e Sevillas. Suso kaloi vendasit në avantazh në minutën e shtatë, por verdhezinjtë gjermanë realizuan tre gola brenda 24 minutave.

Dy herë Erling Haaland dhe rrjeta e Mahmoud Dahoud, të tre gola shumë të bukur, i dhuruan avantazhin e dyfishtë skuadrës udhëtuese në pjesën e parë.

Sevilla tentoi gjithçka në pjesën e dytë, por realizoi vetëm njëherë. Holandezi De Jong mposhti portierin kundërshtar gjashtë minuta nga fundi dhe i gjithë takimi përfundoi 2-3. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!