VIDEO/ Ish presidenti brazilian Bolsonaro qëndron dy ditë “i fshehur” në ambasadën hungareze

schedule09:04 - 26 Mars, 2024

schedule 09:04 - 26 Mars, 2024

Pamjet e kamerave të sigurisë të marra nga New York Times tregojnë  ish-presidentin e Brazilit Jair Bolsonaro, në ambasadën hungareze në Brasília, katër ditë pasi i dorëzoi pasaportën e tij Policisë Federale, në atë që prestigjiozja amerikane e përshkroi si “ofertë për azil.”

Ngjarja besohet se ka ndodhur dy ditë pasi dy ndihmës të Bolsonaro u arrestuan me dyshimin se po komplotonin për të përmbysur qeverinë braziliane, populisti i djathtë u strehua në ambasadë, ndërtesë afër nga pallati presidencial.

Sipas New York Times, qëndrimi i Bolsonaro në ambasadë sugjeronte se ai “po kërkonte të përdorte miqësinë e tij me një lider të ekstremit të djathtë, kryeministrin hungarez Viktor Orbán të Hungarisë, në një përpjekje për t’iu shmangur sistemit të drejtësisë braziliane ndërsa ai po përballet me hetime penale në vendin e tij”.

Të hënën Bolsonaro konfirmoi raportin, duke i thënë uebsajtit brazilian Metrópoles: “Nuk do ta mohoj që isha në ambasadë, nuk do të them se ku tjetër kam qenë.

Unë kam një rreth miqsh me disa krerë shtetesh në mbarë botën. Ata janë të shqetësuar. Unë flas me ta për çështje në interes të vendit tone. Pjesa tjetër është spekulim”, citohet të ketë thënë ai.

Ndërsa në një deklaratë, avokatët e ish-presidentit thanë se ai kishte qenë në ambasadë “për të ruajtur kontaktet me autoritetet e një vendi mik”.

Bolsonaro, i cili humbi pushtetin në fund të vitit 2022 pasi u mund në zgjedhjet presidenciale nga rivali i tij i majtë Luiz Inácio Lula da Silva, po përballet me një sërë hetimesh penale në lidhje me pretendimet se ai falsifikoi të dhënat e vaksinimit për Covid-19, si edhe  komplotoi për të rrëzuar qeverinë e pasuesit të tij.

Më 8 shkurt Bolsonaro u detyrua të dorëzonte pasaportën e tij si pjesë e hetimit të policisë federale për tentativën e supozuar të grushtit të shtetit më 8 janar 2023, kur mbështetësit e Bolsonaro kryen trazira në kryeqytet.

Atë mbrëmje, Orban postoi në Twitter një fotografi në të cilën shfaqej duke shtrënguar duart me Bolsonaro, duke i ofruar mbështetje.

Katër ditë më vonë, në orën 21:34 të së hënës, më 12 shkurt, një makinë e zezë u shfaq në portën e ambasadës së Hungarisë në Brazil, sipas imazheve të marra nga Neë York Times.

Ish-presidenti thuhet se qëndroi në ambasadë deri në pasditen e 14 shkurtit. Bolsonaro nuk e bëri të qartë pse kishte vendosur të vizitonte ambasadën.

Megjithatë, ai ka shprehur publikisht frikën se do të ketë të njëjtin fat si ish-presidentja e Bolivisë, Jeanine Áñez. Para humbjes së tij në zgjedhje, Bolsonaro tha se ai pa shikon 3 alternativa për të ardhmen e tij: burg, vdekje ose fitore.

Videoja e New York Times sugjeron se një alternativë e katërt tani mund të ishte në shqyrtim: një jetë e re në Hungari, ku sipas ligjit ndërkombëtar nuk mund të arrestohet.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!